Pas votës unanime ditën e djeshme nga Komisioni i Ligjeve për votimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, sot në të njëjtën linjë votoi edhe Komisioni për Politikën e Jashtme.
Anëtarët e mazhorancës dhe të opozitës me konsensus të plotë dhanë votë pro për projektligjin “Për ratifikimin e Protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, raporton ATSH.
Pas dy qëndrimeve pozitive në komisionet parlamentare, të enjten do të jetë Kuvendi i Shqipërisë, ai i cili pritet të ratifikojë zyrtarisht protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.
Në seancë do të jetë i pranishëm edhe kreu i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.