Ne, organizatat e poshtëshënuara reagojmë ndaj mungesës së transparencës me rastin e propozimit të kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese nga Komisioni i posaçëm i Kuvendit.
Komisioni i posaçëm i Kuvendit për shqyrtimin e kandidatëve për emërim në Gjykatën Kushtetuese, i kryesuar nga deputeti Adnan Rrustemi, në mënyrë të fshehur ka zhvilluar procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Megjithëse në hapat fillestarë të këtij procesi më 22 Korrik 2021 (në fazën e përgatitjes së pyetjeve testuese) pjesëtarë të shoqërisë civile kishin marrë pjesë në monitorim të procesit, në fazat e mëvonshme (të testimit dhe përzgjedhjes) shoqëria civile nuk është lajmëruar fare për mbledhjet e Komisionit, megjithëse disa organizata të shoqërisë civile kishin parashtruar kërkesa dhe shprehje interesimi tek zyrtarët e Kuvendit dhe kryesuesi i Komisionit. Njëherit, vetë kryesuesi i Komisionit z. Rrustemi i kishte njoftuar të pranishmit në mbledhjen fillestare që për takimet e radhës do të informohen me kohë.
Një informim i tillë nuk ndodhi kurrë (me gjithë kërkesat e bëra), ndërkaq ky Komision, tetë ditë më pas, publikoi në ueb faqe lajmin se procedoi tutje në Kuvend për emërim listën e ngushtë prej gjashtë kandidatësh, ku vetëm dy do të emërohen eventualisht nga Kuvendi në seancat e radhës. Ky proces u zhvillua pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile — megjithëse mbledhjet e Komisionit do duhej të ishin të hapura dhe transparente konform Rregullores së Punës së Kuvendit.
Ne si Organizata të Shoqërisë Civile në Kosovë e shohim me shqetësim faktin që ky Komision injoron përfshirjen e shoqërisë civile në një proces kaq të rëndësishëm siç është përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Komisioni as nuk ka dërguar ftesa për pjesëmarrje në mbledhje të Komisionit e as nuk është përgjigjur në shprehjet e interesimit për pjesëmarrje të dërguara në adresë të tij. Kjo nuk kishte ndodhur në procesin paraprak për shqyrtimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ku shoqëria civile në mënyrë aktive kishte marrë pjesë. Ndryshimi i kësaj praktike, është i pakuptueshëm dhe pa bazë ligjore. Për më tepër, ky veprim i Komisionit prek në thelb edhe vet integritetin e procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e të cilëve do të cilësohej si jo transparente.
Kjo nuk është hera e parë që Komisionet e legjislaturës aktuale shpërfillin pjesëmarrjen e rëndësishme të shoqërisë civile në monitorim të proceseve me interes publik. Ne organizatat e poshtëshënuara,tendencat e tilla i shohim si shumë shqetësuese dhe bëjmë thirrje që të tilla të konsiderohen edhe nga i gjithë spektri politik e shoqëror në Kosovë. Mbi të gjitha, legjislatura aktuale duhet ta ketë të qartë rolin dhe rëndësinë që ka shoqëria civile, duke krijuar kushtet e nevojshme për ushtrimin e misionit të saj.