Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka reaguar pas ndryshimeve që po bëhen në selinë e PD-së.
Në një reagim për mediat, Komisioni i Rithemelimit ka vlerësuar se në zyre janë vendosur dyer të blinduara në ambientet e brendshme dhe janë fortifikuar dritaret.
“Deputeti Lulzim Brava e nisi Vitin e Ri me avazin e vjetër të izolimit. Pasi izoloi veten nga 4446 delegatë dhe 43.385 anëtarë që firmosën shkarkimin e tij ai ka vendosur në prag të protestës paqësore të demokratëve ta kthejë shtëpinë e tyre në bunkerin e vetmisë dhe pazareve te tij. Kështu, në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një apartcik të marrë peng, ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat”, është thënë në reagim.
Komisioni i Rithemelimit i ngritur nga Kuvendi i 11 dhjetorit i ish-Kryeministrit Sali Berisha i ka lënë afat deri më 5 janar Lulzim Bashës që të dalë nga zyra pas shkarkimit me referendum nga anëtarësia.
Në të kundërt, Sali Berisha ka paralajmëruar dy javë më parë se më datë 8 janar do të ketë protestë dhe demokratët do të marrin selinë e PD.