Komisioni kërkon rritje të buxhetit për shëndetësinë

Prishtinë | 16 Dhj 2016 | 13:43 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sektori i shëndetësisë vazhdon të jetë prioriteti i pestë, por jo i pari i Qeverisë së Kosovës. Sektori i shëndetësisë po vuan në mungesë të mjeteve financiare, pasi që ndarja e mjeteve buxhetore nuk mbulon as gjërat esenciale.

Kështu u tha në Komisionin për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, në të cilën u bë shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin 2017 për Ministrinë e Shëndetësisë

Anëtarët e Komisionit shprehën shqetësimet e tyre për gjendjen momentale të buxhetit për këtë sektor.

Ali Berisha, anëtar i komisionit nga radhët e AAK-së, ka thënë se shëndetësia nuk po duket të jetë ai prioritet i cili është premtuar nga Qeveria e Kosovës.

“Trajtimet jashtë vendit nuk po duket të jenë efektive. Ka një mungesë të madhe të buxhetit, e këtë mungesë po e plotësojnë vullneti i mirë i qytetarëve. Buxheti i këtij viti ishte pakt, sepse me vetëm 6.6% të buxhetit, i cili ishte ndarë për sektorin e shëndetësisë nuk i mbulon as gjërat esenciale të këtij sektori”, ka thënë Berisha.

Të njëjtin mendim për mungesë të buxhetit e kishte edhe Besa Baftiu nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se prioriteti i Qeverisë për shëndetësinë nuk i plotëson kushtet pasi që buxheti është i pakët.

“Ndarja buxhetit nuk mendoj që është e planifikuar si duhet. Për shembull për barna është ndarë vetëm 70 milionë e që ka nevojë të ketë buxhetin rreth 100 milionë euro. Sepse qytetarëve po u duhet me i ble edhe barnat esenciale”, ka thënë Baftiu.

Kryetarja e komisionit, e cila përkrahi atë që paraqitën anëtarët e komisionit për mungesë të buxhetit tha se 200 mijë euro për ndërtimin e spitalit në Podujevë janë të pakta.

“Mjetet për 2017 janë të pamjaftueshme si për kuadrot dhe entet shëndetësore, ashtu edhe për blerjen e barnave, por edhe për ndërtimin e spitalit në Podujevë për të cilin janë ndarë vetëm 200 mijë euro”, ka thënë Brovina.

Buxheti për shpenzimet operative pritet të pësojë ngritje në vitin 2017. Shpenzimet operative për 2017-ën janë planifikuar të rritet në 44.5 milionë euro nga 42.4 milionë sa ishin planifikuar për vitin 2016. Kurse në total buxheti i shëndetësisë për vitin 2017 është paraparë të jetë 55 milionë e 667 mijë euro, apo 5.1 për qind.

Të ngjashme