Komisioni kritikon MBPZhR-në për kontratat e shumta mbi vepër

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 12:31 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, për mbajtjen e 70 punëtorëve me kontratën mbi vepër.

Gjatë raportimit të ministrit Krasniqi lidhur me Raportin e Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare, aty u fol edhe për pagesat e dyfishta të cilat janë bërë për fermerë, për aplikacionet e fermerëve të cilët kanë pasur mundësi të marrin grande nga kjo ministri, e çështje tjera.

Synavere Rysha, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përpos qe ngriti çështjen e pagesave të dyfishta ajo kërkoi të dijë se pse Ministria e Bujqësisë vazhdon të mbajë punëtorë me kontratë mbi vepër.

“Sipas Auditorit të Përgjithshëm, Ministria e Bujqësisë vazhdon të mbajë mbi 70 punëtorë me kontrata mbi vepër. Pse po vazhdojnë të jenë këto kontrata. Kurse pagesat e dyfishta për mua janë ‘non sens’, dhe kjo është shkelje e ligjit”, tha Rysha.

Ministri Krasniqi theksoi se janë detyruar të vazhdojnë me kontrata mbi vepër për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm.

“Pavarësisht që kemi pasur 323 vende pune nuk kemi pasur mundësi që ato kontrata të vazhdojnë pasi që nuk kemi pasur mjete të mjaftueshme. Ministria e Financave nuk na ka lëshuar buxhet të mjaftueshëm. Nuk kemi pasur zgjidhje tjetër pos të vazhdojmë me ato kontrata”, shtoi Krasniqi.

Avdyl Ymeri nga radhët e PDK-së ishte ngriti çështjen e pagesave të dyfishta duke thënë që pse ka ndodhur që fermerët e njëjtë kanë përfituar më shumë se njëherë nga Ministria e Bujqësisë.

“Pagesat e dyfishta të cilat kanë ndodhur të fermerë të ndryshëm është njëra nga pyetjet që dua të u parashtroj por  nuk do anashkaloj që edhe formularët të cilët duhet të aplikojnë fermerët duhet të thjeshtëzohen sepse shumë prej tyre nuk po arrijnë me i kuptua të dhënat të cilat duhet të plotësohen”, tha Ymeri.

Edhe kryetari i këtij komisioni, Faton Topalli, pyeti për mundësinë e thjeshtëzimit të aplikacioneve për fermerë.

Ndërsa, ministri Krasniqi tha që pronat pyjore janë të shtetërore dhe jo prona shoqërore të cilat menaxhohen nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës. Por Krasniqi foli edhe për mënyrën e pagesave.

“Subvencionet dhe grandet janë dy shtylla të ministrisë së Bujqësisë. Por që njëra nga tjetra dallojnë. Sepse subvencionet janë pagesa direkte kurse grandet janë bashkë investime. Të gjitha këto pagesa prej thesarit të Kosovës dhe jo prej Ministrisë së Bujqësisë”, tha Krasniqi.

 

Të ngjashme