Pas analizës së gjendjes në arsim në gjysmëvjetorin e dytë, anëtarët e Komisionit parlamentar për Arsim vendosën që të premten ta ftojnë ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, që si ndërmjetësues të gjejnë një zgjidhje të mundshme të situatës së krijuar nga greva në arsim, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Komisionit, Ismajl Kurteshi, ka thënë se SBAShK-u duhet të rishqyrtoj qëndrimin e vet pasi sipas tij ata duhet të respektojnë vendimin e gjykatës.
“Sindikata e ka konstatuar vendimin e ministrisë dhe e ka dërguar në gjykatë ndërsa gjykata e ka shpallë vendimin si të pabazë. Ndërsa, të shtunën është bë një gjendje kaosi. Ka klasë të cilat e kanë mbajt mësimin, por një anë tjetër nuk e kanë mbajt mësimin sepse e kanë respektuar kërkesën e sindikatës. Pas humbjes së madhe të mësimit e cila është e kontestueshme, askush nuk është përgjigj për atë kaos tani po na lind një çrregullim, një pjesë duke zëvendësuar një pjesë jo”, ka thënë Kurteshi.
“…Unë mendoj se kur sindikata e ka qu kërkesën në gjykatë është dashtë me vepru sipas vendimit të gjykatës. Nëse një çështje e dërgojmë në gjykatë dhe nuk i bindemi mendoj se nuk është në rregull ky kaos disa andej disa këndej nuk është në rregull. Mendoj se sindikata duhet ta rishqyrtoj qëndrimin e saj dhe të mundësohet kompensimi i mësimit për aq sa ka mundësi të kompensohet”.
Deputetja e AAK-së,Teuta Haxhiu, tha se mësimdhënësit janë të paorientuar për shkak të kaosit që është krijuar në arsim.
“Mësimdhënësit janë të ndikuar, të pavendosur, vullneti i tyre është për t’i zëvendësuar orët, por është vendim i tyre. Lus SBAShK-un që të dalin me një qëndrim unik”, tha Haxhiu, raporton EO.
Deputeti i PSD-së, Driton Çaushi, tha se mund të thërrasin në komision ministrin dhe sindikatën dhe t’i ballafaqojnë mes vete për të gjetur një zgjidhje, çka edhe u përkrah nga anëtarët e tjerë.
Komisioni për Arsim formoi edhe grupet punuese për monitorim të tri ligjeve, Ligjin për Trashëgiminë Kulturore, për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin për Inspektoratin e Arsimit.
Si udhëheqëse e grupit punues për monitorimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore u zgjodh Arbërie Nagavci, me anëtarë: Abdyl Salihu, Fidan Rekaliu dhe Ismajl Kurteshi.
Udhëheqëse e grupit punues për monitorimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar u zgjodh Luljeta Veselaj-Gutaj, me anëtarë: Albulena Balaj, Valentina Bunjaku Rexhepi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu.
Udhëheqëse e grupit punues për monitorimin e Ligjit për Inspektoratin e Arsimit u zgjodh Teuta Haxhiu, me anëtarë: Driton Çaushi, Fidan Rekaliu, Ismajl Kurteshi.