Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi ka miratuar Projektligjin për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.
Kryetari i komisionit, Ismajl Kurteshi, tha se janë munduar që të bëjnë më të mirën në hartimin e këtij projektligji, ndonëse nuk kanë pasur përkrahjen e duhur nga institucionet.
Ai tha se me miratimin e këtij projektligji, pas shqyrtimit edhe në komisionet e tjera, t’i propozohet kuvendit që ky projektligj të kalojë edhe në lexim të dytë.
“Ta votojmë këtë projektligj, të pajtohemi që ta dërgojmë në kuvend dhe që t’i propozojmë që ligjin në lexim të dytë të miratojë. Materia që është trajtu në këtë ligj nuk është e mishëruar me punën e komisionit tonë. Ne kemi arritur që ta rrumbullakësojnë këtë ligj me atë që kemi pasur mundësi. Shpresojmë që ky ligj t’iu shërbejë qëllimeve për të cilat është hartuar”.
Para shqyrtimit të amendamenteve, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me disa terme.
Anëtarja e komisionit, Teuta Haxhiu, tha se ende është e mendimit që inkubatori afarist a është institucion a po jo.
Sipas saj, kjo do të duhej të zëvendësohej me një fjalë më të përshtatshme.
“Gjithë dilemein e kam të neni 9. Prapë nuk më ka dhënë një mendim se a janë këto institucione. Këto nuk janë institucione, është mirë që ta gjejmë një emërtim më të pranueshëm”.
Mirëpo Nezir Çoçaj tha se do të ishte mirë që t’iu përmbahen të gjitha emërimeve ashtu siç e paraqesin dokumentet e BE-së.
Pas miratimit, kryetari i Komisionit propozoi që si komision të angazhohen në organizimin e një dëgjimi publik për projektligjin për mësimdhënësit e viteve të 90-ta si dhe për thirrjen e një debati parlamentar në arsimin në Kosovë.