Komisioni për Bujqësi fton në raportim kryeshefin ekzekutiv të AUV-it, për skandalin me mishin

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 14:49 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor me kërkesë të deputetes Besa Gaxherri ka ftuar në raportim kryeshefin ekzekutiv të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci lidhur me skandalin e mishit, raporton Ekonomia Online.

Besa Gaxherri, nga LDK, tha se raportimi  i Gjinovcit është i nevojshëm për të sqaruar gjendjen lidhur me skandalin e mishit.

“Unë konsideroj që ne jemi komisioni më adekuat që duhet me thirr AUV-it dhe ministrin e Bujqësisë për të raportuar për gjendjen e tanishme. Gjithashtu shqyrtimi i marrëveshjeve me Serbinë që bien në fushën e komisionit tonë duhet të analizojmë dhe të monitorojmë marrëveshjet”, tha ajo.

Daut Haradinaj, kryetar i komisionit me propozim të deputetëve vendosi që në mbledhjen e nesërme të këtij komisioni të ftohet Valdet Gjinovci, kryeshef i AUV-it.

“Unë pajtohem me thirr zyrtar të AUV-it në komision të paktën të sensibilizohet opinioni sepse është një skandal që s’duhet bërë hajgare me të. Nesër në ora 13 ftohet kryeshefi i Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, Valdet Gjinovci”, tha ai.

Gjithashtu komisioni ka shqyrtuar Projektligjin për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri nukleare.

Haradinaj, tha se në emër të komisionit në seancë atë ta prezantojë deputeti i VV-së Driton Çaushi.

Çaushi tha se para mbledhjes kanë mbajtur takim me ekspert të fushës lidhur me amandamentimin e Projektligjit.

“Mbajtëm një takim me ekspert të fushës. Gjithashtu bëmë një rishikim”, tha ai.

Ganimete Musliu nga PDK tha se me ekspert kanë shqyrtuar amendamentet e Projektligjit.

“Ne e kemi shqyrtuar çdo nen dhe çdo amendament të këtij Projektligji. Tek qëllimi ne e patëm një propozim tjetër por duke marr parasysh qe kemi qenë vetëm 3 anëtarë unë propozova që të vendimi të merret në komision”, tha ajo.

Të ngjashme