Me 6 vota “për“, 3 kundër dhe një kundër është miratuar Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 nga Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport, raporton Ekonomia Online.
Anëtari i Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala përmendi çështjen e mosinformimit të buxhetit dhe si pasojë e kësaj nuk munden ta votojnë.
“Ligji për buxhetin ashtu ka ardhë shpejt dhe ne jemi në pikën 3 të ditës, pikërisht për shkak të mos suksesit në fushën e veprimtarisë që mbulon kjo ministri, e ne në këtë relacion e kemi një buxhet që po ashtu nuk e dimë saktë, sa është buxheti që ka me dominu apo ka me mbulu sektorët që i mbulon ky komision. Pra në esencë, që ditën e parë ne nuk e dimë cilin buxhet kemi me komentu dhe me trajtu sot këtu. Sepse nuk i kemi sektorët, ministritë që realisht janë të parapara. Pra është një buxhet i vitit të kaluar. Nëse nisemi prej pjesës së parë të emërtimit të Ministrisë së Buxhetit për Mjedis, pra në start e shohim që atje kemi një zbritje të buxhetit -0.5% e pastaj një numër i madh i pengesave apo dobësive që vërtet vetëm fusha e mjedisit do të duhej të kishte një qasje shumë më serioze në ndarjet buxhetore. Prandaj mendoj që unë personalisht mendoj që ministria aktualisht s’ka asnjë qartësi përveç asaj që duhet formalisht me marrë një vendim, përndryshe nuk kemi asnjë raport real për buxhet. Cilët fusha i kemi, sa janë të ndame e kështu me radhë. Po mbi të gjitha po them që te pjesa e mjedisit më ka bërë përshtypje të madhe që buxheti nëse kështu miratohet, tematika që trajton sfera e kësaj ministrie kanë me qenë delikate me mujt me realizu çfarëdo objektive qofshin ato, me veçanti në sektorin e ujërave, të mjedisit dhe të planifikimit hapësinor që janë sfida të përgjithshme të shoqërisë tonë”, tha ai.
Shala kërkoi një sqarime.
“Tashmë ne e dimë edhe pjesën e miratimit në Kuvend atje që ka kalu në ligj parë dhe ndoshta duhet me kalu, po vërtet kështu është diçka që nuk mund ta pranojmë nëse institucionet e mbajnë fjalën që kanë me rishqyrtu shumë shpejt. Ndoshta është i vetmi shpresë që ky rishqyrtim i buxhetit me ardhë me fusha të ndara për ministrinë, me planifikim të mirëfilltë buxhetor për secilin sektor dhe me qartësi çka janë prioritetet. Ne nuk mundemi me miratu buxhet kur vetë qeveria realisht ende nuk i ka caktuar prioritetet. Kur vetë qeveria ende s’ka bërë plan buxhetor të mirëfilltë, në harmoni me ndarjet që i ka të sektorëve. Ne deri në këtë moment e kemi edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Mjedisit bashkë. Ne nuk e dimë ende a kemi kompetencë për mjedis apo për infrastrukturë, sepse tashmë këto dy ministri që ishin bashkuar dikur dhe tash janë ndarë prapë, buxheti është jashtëzakonisht i paqartë në këtë relacion. Dhe unë e mbaj mendimin dhe nuk mundem me votu këtë kështu sepse asgjë nuk kemi të qartë, as juridikisht as praktikisht në kuptimin e asaj që na vjen si Komision që ne mund ta mbulojmë apo mund të thirremi me një fakt, me një shifër, me një projekt“, tha Shala.
Ndërsa anëtarja e Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi u shpreh qartë se nuk e voton këtë pikë të rendit të ditës.
“Pajtona me atë çka tha deputeti në fjalë, mirëpo përveç konstituimit të komisionit, unë po shoh që duhet ne edhe buxhetin me e votu për shkak se është edhe një afat kohor deri sot apo deri nesër në ora 12:00 për me u dorëzu amandamentet. Kështu që ne si komision duhet me diskutu që me i përgatit edhe ne amandamentet tona si komision për mjedis.
Kështu që unë e shoh të paarsyeshme me u votu ky buxhet në këtë mënyrë, sepse ende nuk e dimë as sa ka buxhet kjo ministri, as nuk e dimë se si do të planifikohet ky buxhet për këtë ministri. Kështu që edhe amandamentet, edhe është shumë e rëndësishme që ky komision sot, përveç konstituimit, të mos të votohet si buxhet“, tha Shala.
Artan Abrashi, anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje theksoi se buxheti është hartuar për shkak të urgjencës që ndodhet Kosova.
“Është hera ime e parë në këtë komision, por natyrisht po kuptohet që fushëveprimtaria është e gjerë ashtu siç i kemi edhe dikasteret. Por meqenëse e lamë këtë për një ditë tjetër, unë propozoj që në kuadër të asaj që tha dhe kolegu sepse ne duhet me qenë të harmonizuar me politikat qeveritare, sidomos me linjat buxhetore që bien nën përgjegjësinë e këtij komisioni.
Nuk do të ishte ide e keqe që me e këqyrë mundësinë me bë një takim pune kështu, disa ditor nëse është e nevojshme, edhe me përfaqësuesit e ministrisë së linjës të cilët ne i mbulojmë, që t’i harmonizojmë politikat tek pjesa që bie në fushëveprimin tonë në këtë komision. Edhe mbase kështu do të ishim edhe më të qartë se si do të veprojmë në të ardhmen dhe do ta kemi kështu më lehtë ta kryejmë punën tonë. Dhe për çështjen e buxhetit, mbase në një situatë shumë normale të rregullt kërkesa e kolegëve të opozitës do të qëndronte sepse nuk do të ishte kështu në procedurë të përshpejtuar duke u bërë kjo punë, por duke marrë parasysh urgjencën, ju e dini shumë mirë se si është puna e këtij buxheti. Ky buxhet është i hartuar mirë por duke marrë parasysh urgjencën që e kemi si Kosovë, mungesën e miratimit të buxhetit, ne duhet të veprojmë shpejt. Në situatë normale natyrisht që do të ishte krejt diçka tjetër kërkesa sepse kërkesa është parimisht e qëndrueshme, por nuk mund të neglizhojmë qoftë edhe një ditë mos me pasë kushtetutshmëri. Prandaj besoj që është plotësisht e kuptueshme dhe e arsyeshme kërkesa e kryetarit edhe e anëtarëve të tjerë që ne me qenë dakord ta trajtojmë këtë kërkesë“, tha Abrashi.
Pika e votuar e rendit të ditës ishte Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Ndërsa pika e dytë: Miratimi i fushveprimtarisë së komisionit u shtye për një mbledhje tjetër.


