Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka miratuar Projektligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se në përgjithësi të votohen të gjitha amandamentet dhe të dërgohet në kryesi.
Ndërsa Deputetja nga LDK-ja, Besa Gazherri, tha se Komisioni i Bujqësisë duhet të mbaj një takim të përbashkët me Komisionin për Mbikëqyrje të Financave në lidhje me subvencionet që janë dhënë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë për 8 milionë euro, e që sipas saj, ka shumë parregullsi.
“Kërkoj një takim me komisionin për mbikëqyrje financiare sepse aty vijnë të gjitha auditimet, ne kemi dyshim për 8 milionë euro subvencione nga Ministria e Bujqësisë dhe neve na duhet parë gjithsesi këtë raport, shqetësimi ynë e sidomos i LDK-së se kjo ministri që nga fillimi ka qenë e prirë nga Lista Serbe tani ka ndryshime por ne jemi të informuar se aty nuk ka asgjë në rregull”, tha Gaxherri.
Deputeti nga PSD-ja, Sali Salihu, tha se duhet kërkuar sqarim nga ana e Ministrisë së Bujqësisë se pse ende nuk janë shpallur grantet për dhënien e subvencionet për kultivuesit e grurit.
“Ministria e Bujqësisë ende nuk ka shpallur thirrjen për subvencione për kultivuesit e grurit, gruri në korrik korret ndërsa ende fermerët nuk kanë aplikuar sepse nuk ka thirrje kur ta japësh një subvencion duhet jap me kohë”, tha Salihu.
“Gruri korret në korrik këta ende e bëjnë shpalljen dhe më pas duhet verifikuar pronat dhe është e pamundur me e bë evidentimin e pronave ma shumë parregullsi në ftesën për aplikim të grurit”, tha Salihu.
Salihu tha se gjitha ftesat për grante duhet të bëhen në janar pasi që fermerët në atë kohë munden të shqyrtojnë gjitha mundësitë për përdorimin e granteve, raporton EO.
“Urgjentisht duhet thirrur ministrinë pse nuk e kanë shpall ftesën për subvencione, dhe ftesat për aplikim duhet me qenë në janar”, shtoi Salihu.