Komisioni për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i këtij komisioni, Lumir Abdixhiku, tha se komisioni i rekomandon Kryesisë miratimin e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, pas votimit ku mori 6 vota pro.
Deputeti nga LDK-ja, Naser Osmani, tha se sipas ligjit që ka sjellë Qeveria thuhet se partitë që shkelin rregullat duhet gjobitur në shumë prej 40 mijë euro.
Ai tha se këtë shumë nuk e përballojnë partitë e vogla dhe se është e papranueshme nga ana e tij që kjo shumë të mbetet për gjobitje.
“Nuk e kuptoj politikën me dy standarde, gjithmonë thonë se duhet mbështetur partitë e vogla dhe të minoriteteve. Sipas ligjit që ka sjellë Qeveria thotë se 40 mijë euro dënohet partia që ka shkelur rregullat, por nëse gjobitet një parti e vogël me atë shumë atëherë mbyllet ajo parti, ndërsa partitë e mëdha e përballojnë këtë shumë”, tha Osmani.
Ai tha se çdo pagesë që bëhet për subjektet politike është transparente dhe janë ne ueb faqe.
“Transparenca është përmirësuar me ligjin e kaluar përmes ueb faqes që janë të dhënat për çdo pagesë që ndodh dhe nëse KQZ-ja i ka këto të dhëna i kanë qasje të gjithë, pasqyrat financiare janë ato që tregojnë. Çdo pagesë që bëhet kesh prej 500 euro ai që jep duhet të jap një deklaratë të shkruar dhe ai që jep”, tha Osmani
Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha subjektet politike financohen edhe nga bizneset dhe vetë individët dhe kjo është e kufizuar.
“Me akuzu komisionin tonë që nuk e ka rregullu është hipokrizi, maksimumi që mundet me jap biznesi është 20 mijë ndërsa individi në 10 mijë gjatë fushatës, ndërsa në kohe tjetër është 10 me 5 mijë. Dënimet, është problem për parti të mëdha, gjithë e dimë që edhe partitë e mëdha dënohen deri 200 mijë dhe partitë politike bëjnë marrëveshje që me ia heq njëra-tjetrës ankesat”, tha ai, raporton EO.
Molliqaj tha se në rajon Kosova ka procesin zgjedhor më të mirë gjatë viteve të fundit.