11 milionë e 820 mijë euro do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kështu bëri të ditur zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, gjatë shqyrtimit të Projektligjit në Komisionin për Buxhet dhe Financa, raporton Ekonomia Online.
“Sipas llogarisë të bërë nga ana e buxhetit për këtë vit për vitin 2019-2021, 11 milionë e 820 mijë euro, e cila në kornizën afatmesme nuk është e paraparë dhe duhet të ndërhyhet në kornizën afatmesmme”, tha Gashi.
Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se nga komisioni rekomandohet që Kuvendi të miratojë këtë projektligj me kushtin që të gjenden mjetet e nevojshme për vitin 2019-2020.
“Rekomandohet që kuvendi të kalojë këtë ligj me propozimin që t’i gjejë mjetet”.
Në këtë mbledhje të komisionit është shqyrtuar edhe Projektligji për Inovacion Shkencor dhe Transfer të Dijes dhe Teknologjisë.
Ky projektligj është përcjellë në Kuvend, mirëpo me rekomandimin që të mos miratohet për shkak se kostoja e tij prej 9 milionë eurosh është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës, raporton EO.
Madje, sipas zëvendësministrit të Financave, Fatmir Gashi, mjetet për këtë projektligj nuk janë të parapara as për dy vitet e ardhshme.
“Ky projektligj ka koston mbi 9 milionë euro. Nuk bën të aprovohet se nuk janë të parapara as për vitin 2018, as për vitin 2019, as për vitin 2020”.
Projektligji për të cilin sponzorues është ministria e Arsimit, e konsideroi të dëmshme deputetja Safete Hadërgjonaj.
Sipas saj, këto mjete janë të ndara për Ministrinë e Inovacionit.