Komisioni për Legjislacion miratoi në parim Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë, opozita e quan anti-kushtetues

Prishtinë | 02 Shk 2022 | 13:07 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 7 vota për 2 abstenime Komisioni për Legjislacion e ka miratuar në parim Projektligjin për Konfiskimin e Pasurisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Komisionin për Legjislacion gjatë shqyrtimit të projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë tha se në rastet kur Byroja vlerëson nga informacionet zyrtare apo tjetër që dikush ka pasuri që është e pajustifikueshme, kërkon nga ai zyrtar që ta justifikon pranë byrosë.

Ajo shtoi se projektligji ka gjithsej 67 nene me 13 kapituj dhe se Drejtorinë e Byrosë do ta zgjedh Komisioni për Legjislacion, e po ashtu do ta mbikqyr punën e byrosë.

Tutje Haxhiu ka thënë se pajtohet që të largojë politikën nga institucioni dhe se ka para vitit 2008, Kosova nuk ka qenë e pavarur por që sipas  ministres “kjo nuk do të thotë që amnistohet pasuria para këtij vitit”.

Ministrja Haxhiu theksoi se ky institucion nuk do të ketë kompetenca hetuese por verifikuese.

“Për organin kolegjial nuk është qe s’ është diskutuar për shkak që nuk lejohet me ligj. Dhe besoj që ju keni mundësi që të ndryshoni këtë që të mos jetë organ individual por kolegjial”, ka thënë ajo.

Hajdar Beqa anëtar nga Partia Demokratike e Kosovës tha se pajtohet me qëllimin e ligjit por shprehu se ka dilema në zbatimin e tij dhe ka thënë se i njëjti është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Duhet me pas parasysh në parim pajtona me qëllimin e ligjit por kam dilema në zbatimin e ligjit duke e lexuar draft ligjin. Ne kemi ligje në fuqi që nëse zbatohen do të ishte në rregull. A mos po krijojmë ndonjë dualizëm në sistemin e drejtësisë dhe me na prodhu fund problem me arritjen e qëllimit. Struktura e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën. Besoj që edhe ministrja e dinë po por don me bo një popullizëm sesa me implementu këtë ligj”, ka thënë Hajdari.

Tutje, ai tha se ligji është i varfër për palët e treta dhe për zgjedhjen e drejtorit, Hajdari deklaroi se është politike.

“Pse vetëm për zyrtarët e lartë dhe pse prej vitit 2008. Shumë i varfër ky ligj për palet e treta. Sa i përket zgjedhjes së drejtorit është puro politike. Nëse zgjidhet një shef që si fol kryeministrit, apo ndonjë këshilltari të thjeshtë menjëherë shkarkohet. Kisha propozu që mos të hupim kohë dhe kisha kërkuar që të mbahet në dëgjim publik komisioni dhe të marrim palët e treta dhe të shohim sa është i zbatueshëm”, ka deklaruar Hajdari.

Adnan Rrustemi, kryetar i këtij Komisioni, tha se do ta trajtojnë të gjitha nenet për të shmangur antikushtetueshmërinë hipotetike të këtij projektligj.

“Askush prej zyrtarëve publik tash e tutje nuk mund ta keqpërdorë pasurinë zyrtare për tu bërë milionerë”, ka shtuar Rrustemi.

Të ngjashme