Emërimi i Rilind Gërvalles në pozitën e drejtorit të kanalit shqip në RTK ishte temë diskutimi në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me Bordin e mediumit publik, raporton Ekonomia Online.
Disa anëtarë të këtij komisioni, në fillim të mbledhjen, u shprehën të çuditur me prezencën e madhe të medieve. Isak Shabani, anëtar i komisionit nga PDK-ja, pyeti komisionin për praninë e madhe të mediave dhe pse në disa raste nuk lejohen ato.
“Cila është arsyeja që sot marrin pjesë mediat dhe pse bëhet seleksionimi? Pse në disa mbledhje mos me marrë pjesë e në disa po?”, pyeti Shabani.
Besim Muzaqi anëtar nga LVV tha se do të abstenojë për shkak se çështja e zgjedhjes së Gërvallës është politizuar shumë.
“Duhet të sqarohem përsonalisht për votën të cilën do të abstenoj për shkak të mënyrës se si është thirrur dhe është politizuar jashtë mase. Kemi pasë kërkesë për një raportim i cili ka në titullin paragjykimin, punësimet. Do të diskutojmë për punësimet politike në RTK”, tha Muzaqi.
Mergim Lushtaku, zëvendëskryetari i parë nga PDK kritikoi bordin për politizim dhe përshtatje të rregullave ndaj disa personave të cilët janë aktivistë të pushtetit.
“Ne si deputetë kemi marrë pjesë në përzgjedhjen e bordit të RTK-së, gjë që edhe neve si opozitë na ka gëzu. Ne si deputetë dhe komision do t’i mbikëqyrim se sa po zbatohen të gjitha ligjet dhe rregulloret. Sigurisht që ndihem i dëshpruar duke parë informatat dhe ngjarjet në kontekst se ju keni rrëshqitur jeni politizuar. Kemi parë që ju jeni miratuar një rregullore ku ju keni përshtatur disa përsonave kur dihet qartë që konflikti i interesit është i plotësuar shumë mirë. Ne kemi kërkuar që ta shohim rregulloren gjë që nuk na ka ardhë neve si deputetë dhe e përseris të na dërgoni atë rregullore. Pra në rregullore i jeni përshtatur aktivistit të VV-së”, tha Lushtaku.