Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i parimeve të përgjithshme të bashkëpunimit në fushën e prokurimit publik, për të shtyer përpara përpjekjet e përbashkëta për një proces efikas, efektiv dhe transparent në fushën e prokurimit publik.
Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Osman Vishaj, me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, ka shtuar se KRPP do të sigurohet në vazhdimësi që të ketë bashkëpunim dhe bashkërendim në veprime me OSHP-në dhe të gjitha institucionet gjegjëse për prokurim publik, me qëllim që në këtë fushë të ketë arritje në vazhdimësi si dhe ngritje të kapaciteteve dhe përgjegjësive para të gjitha palëve të interesit në prokurim publik dhe qytetarëve të Kosovës.
Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit, si dy institucione të pavarura dhe përgjegjëse në fushën e prokurimit publik, me anë të këtij Memorandumi do të arrijnë shkëmbimin e informatave, mbajtjen e takimeve të rregullta të përbashkëta për adresimin e çështjeve specifike të prokurimit, zotimin për bashkërendimin e veprimeve si dhe hartimin e politikave me qëllim të përmirësimit dhe implementimit të praktikave sa më të mira të prokurimit.
Duke u bazuar ne Memorandumin e Mirekuptimit KRRPP dhe OSHP, do të bashkëpunojnë në themelim të grupit punues në përbërje të ekspertëve nga të dyja palët, organizime të rregullta, ndërmarrjen e koordinuar të masave me qëllim të reduktimit të korrupsionit, ngritje të transparencës , shkëmbim të eksperiencave në prokurim publik nga të dyja anët, përmbushje të agjendës së Integrimit Evropian.
Të dyja palët nënshkruese u dakorduan që në mes tyre, të ketë një bashkëpunim të shpejt e efikas në çështje të interpretimeve dhe opinioneve që KRPP lëshon, e që OSHP do ti konsultojë në vazhdimësi. Po ashtu, palët u pajtuan që KRPP ta informojë OSHP-në për çfarëdo ndryshimi në politika, rregulla apo në platformën e e-prokurimit, që mund të kenë ndikim në vendimmarrjen e OSHP-së.