Kthehet në rivlerësim tenderi për furnizim me dru për ngrohje

Prishtinë | 05 Jan 2019 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ia ka kthyer Komunës së Klinës në rivlerësim tenderin e shpallur në fillim të muajit shtator për furnizim me dru për ngrohje për shkolla, ambulanca dhe zyra të vendit.

Gjatë procedurës tenderuese, komisioni komunal kishte përzgjedhur një operator si fitues të tenderit, por një operator tjetër konkurrues në këtë tender së pari është ankuar në Zyrën e prokurimit e pastaj në Gjykatën e Tenderëve, me konsiderimin se janë shkelur disa nene të Ligjit të prokurimit publik me rastin e shpalljes së fituesit të këtij tenderi.

Ankesën e operatorit, OSHP-ja e ka pranuar pjesërisht të bazuar dhe e ka anuluar njoftimin për dhënien e kontratës, bazuar në konstatimin e ekspertit të angazhuar nga OSHP-ja, i cili, siç thuhet në raportin e publikuar nga OSHP, ka konstatuar se nuk janë respektuar të gjitha dispozitat e Ligjit të prokurimit publik.

Menaxher i Zyrës së Prokurimit në Klinë, Abaz Foniqi, nuk ka dashur ta komentojë vendimin e Gjykatës së Tenderëve se a ka pasur të drejtë OSHP-ja që e ka anuluar vendimin për përzgjedhjen e operatorit dhe kthimin në rivlerësim të këtij tenderi me vlerën e parashikuar prej 120 mijë eurosh.

“Nuk dua ta komentoj vendimin e OSHP-së, por ne do ta zbatojmë vendimin e saj dhe aktualisht jemi në procesin e rivlerësimit të tenderit”, thotë Foniqi. Sipas tij, ka mbetur të kërkohet prej operatorëve konkurrues validitet në ofertat dhe sigurinë e tenderit, pasi tenderit që është shpallur në shtator i ka kaluar afati 60-ditësh sa ka qenë, respektivisht siguria prej 90-ditësh.

“Sot (premte) krijohet komisioni për rivlerësimin në këtë tender”, thotë Foniqi.

Megjithëse i ndërlidhur edhe me sezonin dimëror për ngrohjen e objekteve që janë në përgjegjësi të Komunës së Klinës, sipas Foniqit, zvarritja e këtij tenderi nuk rrezikon furnizimin me dru. “E mira është që ne e kemi operatorin e kontraktuar vitin e kaluar, i cili ka kontratë deri në fund të muajit janar. Prandaj nga zvarritja e këtij tenderi aktual nuk rrezikohen shkollat, ambulancat dhe zyrat e vendit në terren, për furnizim me dru për ngrohje, pasi të gjitha janë furnizuar para vitit të ri me dru për ngrohje”, thotë Foniqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme