Komisioni për Ekonomi mban dëgjim publik lidhur me projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 15:30 | Nga Ekonomia Online

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi, ku deputetë dhe përfaqësues të Odës Ekonomike kanë paraqitur qëndrimet dhe rekomandimet e tyre për përmbajtjen e këtij projektligji, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se projektligji për inovacionin dhe ndërmarrësi do të mundësojë për herë të parë mbështetje ligjore për start-up-et në Kosovë.

 “Përveç se për herë të parë edhe me ligj tashmë ofrohet mbështetje zyrtare për start-up-et. Inovacioni është në fokus të këtij projektligji, duke e ngritur në nivelin e mbështetjes për individët, organizatat, shoqatat dhe bizneset”, ka deklaruar Kusari Lila.

Ajo ka theksuar se ligji do të mundësojë mobilizimin e kapitalit privat dhe investime të përbashkëta ndërmjet fondit publik dhe investitorëve privatë.

“Do të ofrojë mundësinë e bashkëpunimit dhe nxitjes së inovacionit përtej kufijve të Kosovës, do të thotë edhe me fonde nga jashtë, e gjithashtu, si një kontribues i rëndësishëm në ekonominë tonë, do të ofrojë formë të drejtpërdrejtë të investimit të kapitalit të diasporës”, ka thënë ajo.

Ministrja ka përmendur edhe potencialin e sektorit të teknologjisë informative dhe shërbimeve profesionale, duke theksuar nevojën për rritjen e investimeve dhe eliminimin e barrierave që mund të pengojnë zhvillimin e tyre.

“Synimi ynë është për një funksionim afatgjatë, por gjithashtu edhe mekanizma të mirëfilltë të mbështetjes së ndërmarrësisë dhe inovacionit”, ka përfunduar ajo.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të grupit parlamentar për të kontribuar në avancimin e projektligjit, duke theksuar se do të mbështesin bashkëpunimin për të krijuar një ligj sa më të mirë për qytetarët, ndërmarrësit dhe inovatorët e rinj.

Sadiku bëri të ditur se ka dorëzuar pesë amendamente për këtë projektligj, disa teknike e disa politike, por u shpreh optimist se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët për bashkëpunim.

“Unë si deputet i grupit parlamentar të LDK-së ju premtoj që kam me ndihmuar edhe unë edhe grupi me çka do që kemi mundësi që me qenë bashkëpunues edhe që ky ligj me ec përpara sa më mirë për qytetarët edhe për ndërmarrësit edhe për inovatorët e rinj. Edhe sa më pak me e luajtur opozitën destruktive e sa më shumë opozitën konstruktive në këtë aspekt. Unë edhe që kam dërguar pesë amendamente për këtë ligj, disa teknike, disa ndoshta edhe politike, por megjithatë mendoj që mundemi me gjetur një gjuhë të përbashkët si me bashkëpunuar. Lirisht llogaritni në neve, si deputetë, edhe mu, po shpresoj edhe me zonjën Ymeri, po dhe ky grup i paraqet që me bashkëpunuar. Po dhe me qenë kritikë aty ku mendojmë që mundemi me bërë diçka pak më mirë. Besoj që shumë shpejt kemi me kaluar këtë ligj edhe në harmoni edhe me amendamentuar me gjëra më të mira edhe më të reja edhe më të freskëta për inovacionin”, tha Sadiku.

Ndërkaq, deputeti i Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi ka kërkuar që diskutimet gjatë dëgjimit publik të përqendrohen në parimet kryesore të projektligjit, ndërsa propozimet konkrete dhe ndërhyrjet në nene të dorëzohen me shkrim, në mënyrë që ato të shqyrtohen nga grupi punues.

Ai theksoi se projektligji duhet të shoqërohet edhe me akte nënligjore dhe rregullativë përkatëse, të cilat do të sqarojnë zbatimin e tij.

“I kemi edhe përfaqësues të ministrisë edhe ky ligj përcillet vetëm me akte nënligjore edhe me rregullativë legjislative që e përcjellë, që e sqaron secilin prej tyre, prandaj është shumë mirë nëse flasim për parimet. Po flasim për parimin aty ku konsideroni që duhet me pas ndërhyrje të ligjit, qoftë përfshirje, qoftë për konflikte potenciale të interesit, është mirë me folur për parimin, jo për nene konkretisht dhe propozime konkrete, sepse ato sugjeroj që t’i bëni me shkrim. Unë me siguri kryesuesi tash ju mjafton edhe me metodën e punës. Pasi i pranoj me shkrim gjitha sugjerimet tuaja, na e kemi edhe grupin punues edhe pas punës në grupin punues e finalizojmë dhe propozojmë në komision. Prandaj nëse fillojmë nen për nen me hy edhe me detajizuar kështu edhe etimologjinë e fjalëve edhe kuptimin e fjalëve, pastaj mbesim në trajtim teknik të çështjeve dhe prandaj orientimi më i mirë kish qenë nëse flasim për parimet konkrete edhe për orientimin në ato parime”, deklaroi Kelmendi.

Edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka vlerësuar rëndësinë e rregullimit të çështjeve kryesore përmes ligjit, duke theksuar se deputetët kanë përgjegjësi për mbikëqyrjen e zbatimit të tij. Ai ka përmendur gjithashtu rëndësinë e promovimit të bizneseve dhe krijimit të mundësive për më shumë inovacion.

“Na si deputetë të Kuvendit nuk kemi mundësi me mbikëqyrë aktet nënligjore, po kemi mundësi me mbikëqyrë ligjin, domethënë si primar, prandaj unë edhe pajtoj që sa më shumë që të rregullohet me ligj, është edhe për neve mundësi e mirë me mbikëqyrë, po në të njëjtën kohë, është mirë edhe, sa po e kuptoj, është edhe një lloj promovimi i bizneseve që ata me pasë mundësi me pasë inovacion më shumë.Por në fund të ditës, unë e besoj që na është mirë me i lënë, me dëgju deri në fund, besoj që na dërgon edhe me shkrim propozimet, nëse kemi diçka pas kësaj, më pas mundemi me diskutuar”, u shpreh Lushtaku.

Në dëgjim publik ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike, Bajram Kelmendi, i cili tha se gjatë periudhës së kaluar është punuar në analizimin e projektligjit dhe në dhënien e kontributit për hartimin e tij.

Ai theksoi se ligji duhet të jetë sa më i qartë, gjithëpërfshirës dhe i lehtë për t’u zbatuar, duke kërkuar që para miratimit të tij të shqyrtohen me kujdes të gjitha çështjet, në mënyrë që të shmangen gabimet që mund të kërkojnë ndryshime të mëvonshme.

“Kemi me shpirt me bë dhe besoni që jam munduar edhe periudha e kaluar bashkë me stafin tonë, na e kemi përmend që këtë ligj ta shqyrtojmë tamam me shpirt, me zemër, ashtu siç besojmë që është edhe vullneti i politikave qeveritare dhe legjislativit. Andaj në kuadër të kësaj, jemi munduar që të japim atë ndihmën tonë, sidomos në artikullin e draftimit të ligjit dhe nga përvojat e kaluara, por na del që po e bëjmë një ligj, pastaj po i gjejmë gabimet, po i rregullojmë në qytet. Kështu që unë mendoj që pavarësisht çfarë është kërkesa e komiteteve evropiane, të marrëveshjeve tona për financim, është nganjëherë mirë të ndalemi edhe ta bëjmë një listë të mirë për neve. Këtë frymë e kam marrë dhe vullneti ka qenë, jemi munduar me analizuar me pika shumë strukturore që të jetë sa më i fuqishëm, sa më i qartë, sa më i hapur, sa bindës dhe i lehtë për implementim. Në kuadër të kësaj, unë kam analizuar draftligjin dhe, sipas bindjes së Odës Ekonomike, kam ardhur me tetë pika të cilat mendoj që sot prej jush vazhdoj t’i ndaj”, deklaroi Kelmendi.

Dëgjimi publik kishte për qëllim diskutimin e parimeve dhe përmbajtjes së Projektligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, si dhe mbledhjen e rekomandimeve nga deputetët dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit për përmirësimin e tij para procedimit të mëtejmë parlamentar.

Të ngjashme