Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka mbajtur mbledhjen e parë për këtë vit, ku ka shqyrtuar vendimin e Qeverisë për masat e emergjente për furnizimin me energji, raporton Ekonomia Online.
Nga opozita e kundërshtuan këtë vendim, teksa nga mazhoranca e arsyetuan vendimin duke thënë se është në të mirë të qytetarëve.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, tha se ky vendim ka ardhur si rezultat i tejkalimit të krizës dhe për të siguruar energji të mjaftueshme gjatë muajve në vazhdim.
“Duke marre parasysh situatën energjetike në vend dhe me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, propozojmë masa shtesë për të siguruar energji të mjaftueshme gjatë muajve në vazhdim. Ky vendim parasheh edhe ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave”, tha Mjeku.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se këto masa emergjente duhet të përfundojnë, teksa kërkoi që të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit për energjinë.
“Qeveria po vazhdon me avazin e vjetër e me vendime ad-hoc. E kanë ditë qartë që nuk kemi ligj dhe është dashur që të bëni plotësim-ndryshim të ligjit. Dhe nëse ju si qeveri jeni të fjetur, atëher kjo e dëmton qytetarin por edhe Kosovën. Ju e dini që kroza energjetike është që sa muaj, dhe prapë ju vini me klso vendime. Jam i habitur sepse kam menduar se si praktikant do të vazhdoni për gjashtë muaj, por ju keni hyrë në vitin e tretë por ende nuk jeni mësuar. Është dashur si qeveri që të fillojë me kohë kur e ka ditë krizën energjetike, dhe të fillojë plotësim-ndryshimin e ligjit”, tha Lekaj.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, njëherësh kryetar i Komisionit, pyeti për ndarjen e mjeteve për KEK-un.
“Çka e ndihmon KEK-un ky vendim dhe e pash që keni ndarë miliona euro për KEK-un. Çka e ndihmon KEK këto masa emergjente”, pyeti Shala.
Arsyetimin e ndarjeve të këtyre mjeteve për KEK-un e pati zëvendësministri Mjeku.
“Ndarja e këtyre mjeteve po bëhet për arsye se KEK-u është mjeti i vetëm për të tejkaluar krizën energjetike dhe po arrijnë ta mbajmë çmimin stabil, përkundër krizës botërore”, tha Mjeku.
Me gjashtë vota pro, Komisioni e votoi këtë propozim.