Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal me 6 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim rekomandimi për shkarkimin e Bordit të RTK-së të shkojë në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku, ka akuzuar pozitën se po largon njerëz nga puna me e pa të drejtë.
“Nëse keni ndonjë fakt dërgojeni në Prokurori. E shkarkuam edhe Bordin e Aviacionit Civil me disa arsye që për mua nuk kanë bazë”, u shpreh ai.
Pas kësaj Besim Muzaqi ka bërë thirrje nga Prokuroria që të nis hetimet se pse Auditori i Përgjithshëm nuk është lejuar të auditojë RTK-në.
“Pse është penguar Auditori i Përgjithshëm që të hetojë RTK-në, e ftoj prokurorinë nga këtu dhe pres rezultate konkrete”, ka thënë Muzaqi.
Kurse Lushtaku ka thënë se është mirë që të dërgohen në Prokurori dokumente, e jo të bëhen thirrje të tilla si politikanët që bëjnë zakonisht.
Kurse kryetarja e Komisionit, Doarsa Kica-Xhelili kërkoi që mos të bëhet debati ping-pong, dhe ka rekomanduar që fjalën ta marr vetëm ai që ka diçka për të shtuar lidhur me pikat e rekomanduara nga Komisioni për Buxhet.
Poashtu kryetarja e Komisionit ka reaguar lidhur me përfshirjen e emrit të saj në një postim të Mentor Shalës.
Sipas saj, ajo çka ka thënë Shala nuk ndikon asgjë në mendimin e lirë e të drejtë.
“Ekziston një arsye pse s’kam reaguar sepse për mua s’ka qenë e rëndësishme sepse ajo çfarë thotë dikush nuk ma ndikon mendimin e lirë dhe të drejtë”.
“Por për shkak të reagimit të shoqërisë civile, medieve e qytetarëve, unë të premten nuk isha zëri i qytetarëve por ata ishin zëri im”, u shpreh Kica Xhelili si reagim pas postimit të Mentor Shalës.
“Kërkoj nga ju që t’i bëjmë kërkesë kryesisë së Kuvendit që RTK e KPM të listohen në organet që mbikëqyren nga ambasada britanike”, ka shtuar ajo.
“Një temë si mediumi publik nuk po e trajtoni substancialisht. Duam të dimë pse po shkarkohet Bordi i RTK-së që merr 13 milionë euro në vit, që 70 për qind e tyre shkojnë në paga, asgjë nga këto nuk u trajtuan nga ju zotëri Lushtaku e Veliu këtu”, është shprehur ajo.
Kurse deputeti i LDK-së, Agim Veliu tha se e ka mendimin e tij dhe nuk merr parasysh ligjëratat që po mban Kica-Xhelili.