Komisionit për Shëndetësi i raporton ushtruesi i detyrës së ShSKUK-së Basri Sejdiu

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 12:49 | Nga Mehmet Krasniqi

Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur takim me Bordin dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiu, raporton Ekonomia Online.

Fatmire Kollçaku nga Vetëvendosje ka pyetur Sejdiun rreth konkursit për drejtor të ShSKUK-së pasi ai aktualisht është vetëm ushtrues detyre.

“Kur do të jetë konkursi për drejtor, deri kur zgjat periudha e testimit apo politika duhet të vendosë. Sa i përket listës esenciale, problemet janë evidente”, tha Kollçaku.

Sejdiu tha se konkursi për drejtor ka dalë dhe është në procedurë.

“Sa i përket pozitës së ushtrusit të detyrës nuk e kom marr si privilegj por si përgjegjësi. Konkursi për drejtor të ShSKUK-së ka dal, është në procedurë dhe me zgjedhjen e drejtorit do dalin edhe për drejtorët e tjerë. Emergjenca më së paku i përngjan emergjencës, ka hyrje nga të gjitha anët. Aty problem ka qenë stafi që është ne fazen e rekrutimit. Vlera e pajisjeve që janë në proces është 300 mijë euro”, tha Sejdiu.

Naser Rugova nga LDK-ja tha se analizat nuk kryhen në laboratorin e ShSKUK-së dhe ky laborator duhet të funksionalizohet.

“Analizat e caktuara nuk kryen në laboratorët e SHSKUK-së. Laboratorët duhet të funksionojnë për analizat një herë e përgjithmonë. Ka edhe ankesa për medikamente të caktuara për patologji specifike. Duhet t’i akomodojmë në mënyrë ligjore kërkesat e institucioneve. Kërkoj që te merreni me klinikën e ortopedisë, ka ankesa të bazuara”, tha Rugova.

Kryetarja e Komisioit, Besa Baftiu erdhi me vonesë në mbledhje dhe kërkoi informata nga Sejdiu rreth pranimit të stafit të mesëm.

“Ka kalu një muaj dhe ishte e arsyeshme që të ju ftojmë serish sepse janë disa raste jo të mira, siç është pranimi i stafit të mesëm që është bërë duke dhenë mito ose me nepotizëm. Duam një përgjigje nga ju se çka është bërë për këtë. Ka mungesë të barnave. Pse nuk ka barna për leukeminë. Çka ka ndodhë me koronografin i cili është premtu nga ministri që brenda 45 ditëve të sigurohet dhe ende nuk është funksional”, tha Baftiu.

Haxhi Avdyli nga LDK-ja, tha se pacientët detyrohen të blejnë edhe mantilët e mjekëve.

“Furnizimi me barna a mendoni ta bëni një racionalizim të listës. Problemi është që sallat e operacioneve janë duke funksionu, pacientët po i blejnë edhe manitlët e doktorëve. Fasha, jodi, mantili po mungojnë. A ka diçka rreth konkurseve. Ka pajisje që në spitale rajonale dhe nuk përdoren ndërsa QKUK-ja ka mungesë”, tha Avdyli.

Kurse Time Kadrijaj nga AAK-ja, tha se propozimi i saj është që të i kushtohet një ditë problematikës së QKUK-së.

“Për çështjë organizative kisha propozu që një ditë me i’a kushtu një klinike dhe me pa cilat janë problemet. Respektimi i orarit të punës, ka njerëz qe nuk vijne kurë në punë dhe paguhen. Është padrejtësi ndaj atyre që e respektojnë orarin e punës. Më vjen mirë që kardiokirugjia është funksionalizu dhe është kursyer buxheti”, tha Kadrijaj,

Faton Topalli tha se ShSKUK-ja ka nevojë për një organizim më të mirë e sidomos në aspektin e buxhetit.

“Na doli që bordi ka përgjegjësi, por kupola jemi ne. Jemi ata që ndajmë buxhetin për shëndetësin. Përgjegjësia kryesore është organizimi. Çka bëni me pacientët me gjendje sociale, qysh e trajton bordi këtë pacient, a duhet të vdes ai pacient”, tha Topalli.

Në fund Besa Baftiu ka pyetur se a ka marr dikush përgjegjësi për vdekjen e 3 pacientëve nga gazi oksidues.

Të ngjashme