Komiteti Gjyqësor diskuton artikujt për shkarkim të Trumpit para votimit përfundimtar

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 09:13 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Gjyqësor i Dhomës së Përfaqësuesve do të nisë të mërkurën debatin për akuzat kundër presidentit amerikan, Donald Trump në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për shkarkimin e tij.

Debatet pritet të vazhdojnë deri në mëngjesin e së enjtes për t’u pasuar nga një votim, përmes së cilit do të përcaktohet nëse akuzat kundër Trumpit do të prezantohen para gjithë pjesëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve për miratim përfundimtar.

Trump është duke u përballur me akuza zyrtare për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Ato lidhen me marrëveshjet e tij me Ukrainën, sidomos synojnë të vërtetojnë nëse ai ka kërkuar ndihmën e Kievit për të hetuar rivalët e tij politikë, duke kushtëzuar këtë gjë me ndihmën ushtarake në vlerë të 391 milionë dollarëve për Ukrainën.

Të gjithë 431 ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve mund të përfshihen në ditët vijuese për të diskutuar rreth artikujve për shkarkim para se të votojnë nëse duhet zhvilluar gjykim në Senat për këtë çështje.

Nëse sigurohet miratimi, disa ligjvënës do të prezantojnë këtë rast në Senat, për të filluar procedurat e gjykimit.

Shefi amerikan i Drejtësisë, John Roberts do të drejtonte më pas gjykimin, disa ligjvënës, të ashtuquajtur menaxherë do të ktheheshin në prokurorë dhe senatorët si pjesëtarë të jurisë, teksa ekipi ligjor i Trumpit do të përgjigjej, varësisht nga kërkesat.

Hetimet kundër Trumpit kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy.

Informatori është ankuar duke pretenduar se Trump “ka përdorur pozitën e tij për të kërkuar ndihmë nga një shtet i huaj”, në prag të procesit zgjedhor për një mandat tjetër presidencial.

Trump e ka konsideruar hetimin për shkarkim si “mashtrim” mirëpo e ka pranuar se “i ka vështirësuar punën”.

Sipas Kushtetutës amerikane, Dhoma e Përfaqësuesve ka fuqi për të shkarkuar presidentin për “shkelje të rënda dhe keqbërje”.

Kjo është hera e katërt në historinë amerikane që ka nisur një procedurë për shkarkim të presidentit, ndonëse asnjëri prej presidentëve nuk është larguar nga pozita përmes këtij procesi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme