Komiteti Paralimpik i Kosovës për herë të parë merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Komitetit Ndërkombëtar

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 12:18 | Nga Ekonomia Online

Për herë të parë në historinë e Lëvizjes Paralimpike të Kosovës, përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës po marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme, të jashtëzakonshëm, të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, që po mbahet në Berlin të Gjermanisë nga 16-18 nëntor.

Në këtë takim të nivelit të lartë parasportiv, Republika e Kosovës, përfaqësohet nga Presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini dhe Zv.Presidenti Daut Tishuki.

Asambleja gjenerale e jashtzakonshme e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, ndër të tjera, do të shqyrtojë: -statusin e Komiteteve Paralimpike të Rusisë dhe Bjellorusisë; -Draftin e Planit Strategjik të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar 2023-2026 si dhe -prezantimin e ndryshimeve në Bordin Drejtues të këtij Komiteti.

Të enjten dhe të premten (17 dhe 18 nëntor), Presidenti i IPC-së Andrew Parsons, KSHE Mike Peters dhe Shefja për Anëtarësim dhe Ndikim Kristina Molloy, para të pranishmëve, do të paraqesin raportin e përditësuar rreth përparimit të arritur për këtë vit. Pas shumë angazhimeve dhe fazës së riorganizimit të Lëvizjes Paralimpike të Kosovës, Bordi Ekzekutiv i IPC, këtë vit, pranojë në radhët e tij Komitetin Paralimpik të Kosovës me status të përkohshëm, qe nënkupton se gëzojmë të gjitha të drejtat sikurse Komitetet tjera Paralimpike kombëtare përveç të drejtës në votim!

Vitin e ardhshëm, me të drejtë presim të bëhemi anëtar me të drejta të plota që nënkupton edhe pjesëmarrjen e parasportistëve të Kosovës në Lojërat Paralimpike Parisi 2024, me çka do të realizohet ëndrra sublime e sportistëve me aftësi të kufizuara.

Presidentja Emini dhe Zv. Presidenti Tishuki, do të shfrytëzojnë prezencën e tyre në këtë Asamble për takime me krerët më të lartë të Lëvizjes Parallimpike ndërkombëtare por edhe për takime me komitetet homologe për të promovuar edhe më tepër Lëvizjen Paralimpike të Kosovës dhe që të krijojnë ura bashkëpunimi me Komitete tjera Paralimpike në funksion të avancimit të përgjithshëm dhe të gjithanshëm të Komitetit Paralimpik të Kosovës dhe bashkimin e tij në familjen Paralimpike Ndërkombëtare për të maksimalizuar benefitet nga të qenurit anëtar i barabartë i IPC.

Të ngjashme