Komiteti i Senatit e miraton Pompeon për sekretar të Shtetit

Prishtinë | 24 Pri 2018 | 09:37 | Nga

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit të Shteteve të Bashkuara miratoi emërimin e drejtorit të CIA-s, Mike Pompeo, në postin e sekretarit amerikan të Shtetit.

Emërimi i Pompeos u miratua me të 11 votat për të republikanëve, ndërsa nga dhjetë demokratët e Komitetit, nëntë votuan kundër.

Pompeo është zgjedhja e presidentit amerikan, Donald Trump, pasi ky i fundit ka shkarkuar sekretarin e deritanishëm të Shtetit, Rex Tillerson.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell, e mirëpriti votimin në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë dhe tha se Senati tani ka vota të mjaftueshme për të konfirmuar Pompeon, këtë javë, në postin e sekretarit. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Pompeos të ndiqte një samit të NATO-s më 27 prill, raporton rel.

“Shtetet e Bashkuara do të kenë një kryediplomat që gëzon besimin e plotë të presidentit”, tha McConnell.

Pompeo është bërë një nga këshilltarët më të besueshëm të Trumpit gjatë 15 muajve të tij si drejtor i CIA-s.

Së voni, ai ka qenë i përfshirë thellë në përgatitjet e një takimi të Trumpit me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Derisa demokratët e Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë e kanë kundërshtuar Pompeon, duke e konsideruar si luftarak dhe të ashpër ndaj Islamit, ai e ka mbështetjen e së paku tre demokratëve në Senatin e plotë dhe asnjë republikan nuk është shprehur kundër. Kjo do të thotë se ai e ka të sigurt konfirmimin për sekretar të Shtetit.

Megjithatë, miratimi në Komitet ka qenë në dyshim për disa ditë, për shkak të kundërshtimeve nga senatori republikan, Rand Paul, i cili e ka kritikuar Pompeon për mbështetjen e luftës së SHBA-së në Irak.

Por, Paul ka ndryshuar qëndrim në minutën e fundit, pasi, siç ka thënë, ka marrë garanci nga Pompeo se ai tani beson se lufta në Irak ka qenë “gabim” që e “ka destabilizuar rajonin”.

Paul tha se Pompeo i ka thënë atij se ai po ashtu dëshiron të përfundojë përfshirjen e SHBA-së në Afganistan.

Vota e Paulit bëri që Pompeo të shmangë mundësinë e të qenët i nominuari i pari në histori që refuzohet nga Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Trump e ka shkarkuar sekretarin e tij të parë të Shtetit, Tillerson, muajin e kaluar, duke u thirrur në dallime rreth çështjeve kyçe, përfshirë marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme