“Germania” hyn në mesin e kompanive ajrore që konsiderohen si të lira dhe mesatarisht të mëdha. Si e tillë kjo kompani fluturon sidomos në ato destinacione, të cilat i shmangin kompanitë e mëdha ajrore. Së fundi “Germania” ka bërë të ditur se sivjet do të nisë fluturimet nga Zürichu në Tiranë, ndërsa tashmë fluturon nga disa qytete europiane në Prishtinë dhe Shkup.
Të martën “Germania” përmes një komuniakte ka bërë të ditur se po ballafaqohet me vështirësi financiare. Aktualisht kjo kompani po shqyrton disa mundësi financimi për të siguruar likuiditetin. Për momentin nuk ka kufizime sa i përket orarit të fluturimeve, gjithçka vazhdon të ecën sipas planit. Megjithatë, në rast se kompania falimenton, kjo mund të ketë pasoja për pasagjerët shqiptarë, të cilët fluturojnë nga shumë qytete gjermane dhe nga Zürichu në Prishtinë dhe Shkup.
Viteve të fundit “Germania” e ka zgjeruar dukshëm flotën e saj, por ekspertët kanë shprehur dyshime mbi financimin e këtij kursi. Drejtori i kompanisë, Karsten Balke, kishte mohuar në fillim të vitit të kaluar se kompania ka probleme me financat. Balke theksoi se falimentimi i kompanisë “Air Berlin” paraqet një shans të madh për kompaninë.Por, tani duket se situata ka ndryshuar. “Germania» përmend shtrenjtimin e kerozinës dhe rënien e vlerës së euros dhe dollarit amerikan, vonesën e madhe në pajisjen me avionë dhe servisimin e paparashikuar të avionëve.
Nga të dhënat që kompania duhet t’i bëjë publike për autoritetet gjermane, shihet se “Germania” mes vtieve 2012 dhe 2016 vetëm gjatë një viti ka arritur të fitojë para. Gjatë periudhës kohore 2012-2016 kojo kompani pësoi 51,7 milionë euro humbje. Në vitin 2015 qarkullimi ishte 425 milionë euro, por një vit më vonë ra në 369 milionë euro, shkruan dialogplus.