Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim zyrtarë të lartë të kompanisë franceze të Telekomit “Orange”, të kryesuar nga Claude Bartolone, të cilët kanë shprehur interesim për investime në Telekomin e Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka njoftuar përfaqësuesit e kësaj kompanie për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, me theks të veçantë në sektorin e telekomunikacionit, si një prej fushave e cila ka avancuar hovshëm përmes zhvillimit teknologjik.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj përfaqësuesit e kompanisë franceze i informoi edhe për legjislacionin e favorshëm që ka Kosova për investime të huaja, konkretisht për mundësitë që ofron Ligji për Investime Strategjike, si dhe për gjendjen në Telekomin e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj garantoi transparencë të plotë dhe bashkëpunim për të përmirësuar gjendjen e rëndë në Telekom, duke thënë se investimi i “Orange” në Telekomin e Kosovës dhe bartja e përvojës së tyre në këtë fushë do të shndërrohej në një storie suksesi.
Përfaqësuesit e Kompanisë “Orange”, pasi u njoftuan nga kryeministri Haradinaj për gjendjen në këtë fushë, shprehën gatishmërinë e tyre për të investuar në Kosovë, duke marrë shembull zhvillimin e suksesshëm të kompanisë “Orange” pas privatizimit të Telekomit Francez.
Kompania “Orange” , ish-Telekomi Francez, është kompani e privatizuar 30 vjet më parë e cila operon direkt në 8 shtete të Unionit Evropian me 256 milionë konsumatorë në tërë botën dhe punëson 95.000 persona në Francë dhe 59.000 nëpër vende të tjera të botës.