Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës për projektin “Rehabilitimi i Fazës II të pjesës jugore të linjës hekurudhore 10 (seksioni Fushë Kosovë – Mitrovicë)”. Fituese e tenderit është kompania nga Roma e Italisë “GCF Generale Costruzioni Ferroviarie SpA”.
Vitin e kaluar ishte lidhur kontrata në mes BERZH dhe kompanisë “GCF Generale Costruzioni Ferroviarie SpA” në një vlerë prej 47,927,505.32 euro, por njoftimi publik ishte bërë në fund të vitit të kaluar.
Ky tender ndërkombëtar që është udhëhequr sipas procedurave të prokurimit të BERZH ishte hapur në fillim të vitit 2019 dhe në garë kanë qenë kompanitë:
Costruzioni Linee Ferroviarie SpA -Italia
GCF Generale Costruzioni Ferroviarie SpA -Italia
GULERMAK Heavy Ind Cons. & Vazhdo. Co Inc. -Turqia
INC SPA Italia
Ozaltin Construction Turqia
Tasyapi Insaat Taahhut Sanayi ve Ticaret AS -Turqia
TERNA SA -Greqia
Trace Group Hold PLC- Bullgaria
Yapi Merkezi Insaat VEe Sanyi AS -Turqia.
Ndonëse, nuk dihet se kur do të nisin punët, data e planifikuar e përfundimit të kontratës është 455 ditë, shkruan Periskopi.
Linja Pan-Evropiane “10” e cila fillon nga Salzburgu, dhe kalon nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Kosovë e Maqedoni, përfundon në Selanik të Greqisë.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në rajon që e shfrytëzojnë më së paku trenin si mjet transporti, kjo edhe për faktin se rrjeti hekurudhor nuk e mbulon gjithë shtetin, por edhe për shkak të rrjetit jo të mirë.
Që rrjeti hekurudhor të jetë më joshës, Bashkimi Evropian ka parashikuar një ndihmë të konsiderueshme për ta rehabilituar “Linjës 10 hekurudhore”, që përshkon t’i lidhë shtatë shtete, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.
Ky projekt që rrjedh nga agjenda e Berlinit, përkatësisht nga takimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor i udhëhequr prej kancelares gjermane Angela Merkel që u mbajt vitin 2014 në Berlin, do të kushtojë mbi 160 milionë euro vetëm për linjën që kalon nëpërmjet Kosovës.
Rehabilitimi i rrjetit hekurudhor brenda Kosovës është 148 kilometra, dhe është e ndarë në tri faza: Faza e parë e cila ka filluar nga Hani i Elezit – Fushë Kosovë, faza e dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë Jugore dhe faza e tretë është nga Mitrovica e Jugut deri në Leshak, në kufirin me Serbinë. Kjo linjë pastaj do të lidhet më korridorin e dhjetë hekurudhor që lidhë Kosovën më Ballkanin Perëndimor dhe rrjetin Trans-Evropian të Transportit.
Është me rëndësi të ceket se kreditë e marra nga BERZH-i dhe BEI-ja janë kredi të kthimit afatgjatë (për të cilat garant është Qeveria e Republikës së Kosovës), ndërsa kamata kthyese është e vogël. Vlen të ceket se gjysma e vlerës së investimeve për këtë projekt madhor jepet në formë të granteve nga fondet e BE-së përmes mekanizmit të WBIF-it.
Gjatë vitit 2021 është punuar në rehabilitimin e fazën së parë të Linjës së 10-të Hekurudhore (Fushë Kosovë – Hani i Elezit), por për shkak të vonesave ky projekt pritet të kryhet në fund të vitit 2022.
Fillimi i rehabilitimit dhe modernizimit të fazës së dytë të Linjës së 10 hekurudhore (Fushë Kosovë – Mitrovicë) – Procedura e përzgjedhjes së kompanisë punëkryese është vonuar, por megjithatë në dhjetor të vitit 2021 është nënshkruar kontrata, ndërsa është bërë publike javën e kaluar, shkruan Periskopi.
Ndërsa, sipas raporteve të “Infrakos”, fillimi i Projektdizajnit detaj teknik për fazën e tretë (Mitrovicë – Leshak) – Udhëhequr nga IPF 9 dhe Konzorciumi HILL International në muajin nëntor 2021 ka filluar realizimi i projektdizajnit detaj teknik për fazën e tretë (Mitrovicë – Leshak – Kufiri me Serbinë). Projekti pritet të përfundojë deri kah fundi i vitit 2022.
Rihapja e pjesës veriore të Linjës së 10 hekurudhore nga Mitrovica në kufirin me Serbinë – Është e ditur se që nga data 03 mars e vitit 2008 forcat paralele Serbe në veri të Kosovës të ndihmuara nga Hekurudhat e Serbisë kanë okupuar pjesën veriore të Linjës së 10 Hekurudhore, duke ia pamundësuar kështu INFRAKOS-it qasjen në atë pjesë të hekurudhës. Infrakos kishte shpresuar se gjatë vitit 2021 do të ketë bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për këtë çështje, por kjo nuk ka ndodhë, gjë që si pasojë nuk është bërë realizimi i këtij objektivi.