Gjendja në Kalanë e Artanës vazhdon të jetë e rëndë për shkak të punës joprofesionale të kompanisë “Koto” nga Serbia.
Kështu u tha sot gjatë takimit konsultativ lidhur me punimet në këtë Kala, raporton EkonomiaOnline.
Ismet Hajrullahu, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, ka kërkuar ndihmën e të gjitha institucioneve, por edhe të qytetarëve për mbrojtjen e këtij monumenti shumë të rëndësishëm kulturor dhe historik.
“Kalaja e Artanës sot gjendet në një gjendje të rëndë nga punimet që po i zhvillon kompania ‘Koto’ nga Serbia dhe shumë e rëndësishme është ta ndalojmë dëmtimin e saj. Sot ju ftojmë si institucion, e deri te qytetari ta japin ndihmesë për zgjidhjen e problemit për Kalanë e Artanës”, ka thëmë Hajrullahu.
Ndërkaq arkitekti Avni Mamaj ka thënë se ekziston dëshmia se kjo kompani ka shkaktuar dëme të pariparueshme në gjetjet e artefakteve.
“Ne kemi dëshmi që kjo kompani ka bërë betonizimin e gjetjet artefakte në Kalanë e Artanës. Skandal tjetër muret kanë filluar të bien që me gjasë kjo ka ndodhur për shkak punës jo profesionale të kësaj kompanie. Pas situatës së krijuar kjo kompani ka marrë përsipër sanimin e dëmeve të shkaktuara nga vet kompania e kontraktuar nga UNESCO”, ka thënë ai.
Ndërkaq Isuf Koci nga Këshilli për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka thënë se kjo kompani duhet të ketë përgjegjësi penale.
“Gjithashtu shqetësim i joni është se kompania që i ka bërë dëmet ka përgjegjësitë e saj penale. Nuk mundet që një kompani që shkakton dëme ti vlerësoj ato dëme. Ne konsiderojmë se shumë asete tjera në vend që janë duke u shkatërruar.
Nga të pranishmit në këtë debat patën mospajtime mes vete. Drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha tha se punimet nga kjo kompani po politizohen.
“Problemi është se punimet që i po zhvillon kompania ‘Koto’ po politizohet. Nuk kemi nevojë që ne të shitemi patriotë”, ka thënë ai.
Në vitin 2015, UNESCO i kishte dhënë për restaurim Kalanë e Artanës kompanisë KOTO nga Beogradi. Pas një punë 3 vjeçare e cila ka kosto mbi 1 milion euro, kalaja fillon të shkatërrohet gradualisht.
Pas këtij skandali rifillon restaurimi i cili ka qenë i mbikëqyrur nga IKMM. Ky institucion duke parë këtë skandal të rrënimit të mureve me ekskavator nga kompania serbe, me vendim ka ndërprerë të gjitha punimet. Përkundër kësaj punimet vazhdojnë ende duke mos respektuar vendimin e IKMM.