Kompanitë e Naftës që u gjobitën nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, duket se morën mësim nga dënimet që iu shqiptuan.
AKK me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se i ka nxjerrë përsëri inspektorët e vet në terren, për të parë sërish gjendjen me çmimet e naftës në treg.
AKK njofton se tanimë ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë karakteristik në të kaluarën.
“Nga monitorimet e bëra është vërejtur se tashmë ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë rasti në të kaluarën”, është bërë e ditur në njoftim për media.
Njoftimi i plotë nga AKK:
Tashmë kur kanë kaluar mbi një muaj që kur Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka marrë vendim në lidhje me Rastin Nafta, inspektorët hetues të AKK-së kanë dalë sërish në terren për t’i monitoruar çmimet e derivateve të naftës në këtë treg.
Nga monitorimet e bëra është vërejtur se tashmë ekziston një llojshmëri më e madhe e çmimeve të naftës, gjë që nuk ka qenë rasti në të kaluarën.
Më konkretisht, është vërejtur se dallimi i çmimit të derivateve mes kompanive në disa raste ka arritur deri në 9 centë, duke i mundësuar kështu konsumatorëve që të zgjedhin ndërmarrjet që ofrojnë çmimin më të ulët të këtij produkti apo më të lartë, bazuar
në cilësinë e preferuar.
Autoriteti Kosovar i Konkurrencës synon që të avokojë tek ndërmarrjet për respektimin e politikave të konkurrencës dhe është e interesuar që kurdo që është e mundshme të evitohen dënimet.
Në këtë kontekst, AKK shprehet e kënaqur për vetëdijesimin dhe diciplinimin e ndërmarrjeve të këtij tregu dhe fton të gjitha ndërmarrjet që të respektojnë politikat dhe ligjet e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës do të vazhdojë monitorimin sistematik të tregut dhe fton të gjithë konsumatorët dhe aktorët e tjerë që të lajmërojnë çfarëdo rasti që ata mund ta konsiderojnë si shkelje e konkurrencës./ln