Tashmë janë kompletuar gjysmëfinalet e këtij edicioni në Ligën e Kampionëve, ku mbrëmjen e sotme (e mërkure, 19 prill) u kualifikuan edhe Interi e Manchester City.
Dyja ekipet e patën më të lehtë kualifikimin, falë avantazhit në ndeshjet e para.
Manchester City barazoi në udhëtim te Bayern Munich me rezultat 1:1, kështu që rezultati përfundimtar është 3:1 në favor të tyre.
Erling Haaland pati një mundësi të mirë për të shënuar në pjesën e parë, por nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.
Megjithatë, gabimin ai e përmirësoi në minutën e 57-të, kur shënoi pas asistimit të Kevin De Bruyne-s.
Bayern-i reagoi në minutën e 83-të duke e barazuar rezultatin me golin e Jousha Kimimch nga penalltia, por ishte e vonë.
Kështu Manchester City kualifikohet në gjysmëfinale, ku përballë do ta ketë Real Madrid-in.
Në gjysmëfinale u kualifikua edhe Interi, të cilët barazuan në shtëpi ndaj Benfica-s me shifrat 3:3, por falë epërsisë prej 2 me 0 në ndeshjen e parë, italianët kalojnë tutje.
Inter-i kaluan të parët në epërsi, kur Nicolo Barella shënoi në minutën e 14-të pas asistimit nga Lautaro Martinez.
Reagimi i mysafirëve erdhi në minutën e 38-të, kur Fredrik Aursnes e barazoi rezultatin dhe 1:1 u mbyll pjesa e parë.
Lautaro Martinezi shënoi golin e epërsisë për Interin në minutën e 65-të, ndërsa për 3:1 u përkujdes Correa, i cili e shënoi një gol të bukur në minutën e 78-të.
Benfica u rikthye në lojë duke shënuar dy gola me Antonio Silva-n dhe Musa-n deri në fund, por barazimi ishte i pamjaftueshëm për portugezët.
Interi tani në gjysmëfinale do të përballet me rivalin lokal të qytetit, Milan.