Komuna e Deçanit në autoparkun e saj ka shtuar edhe 13 makina të reja zyrtare, të cilat nuk i ka blerë, por i ka marrë me qira për një vit nga një kompani private.
Me marrjen e këtyre makinave, siç tregojnë në komunë, pretendohet të ulen shpenzimet vjetore për mirëmbajtje, riparim dhe sigurim të makinave zyrtare, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Këto makina të reja janë marrë për të kursyer komuna, pasi në kontratë janë të përfshira të gjitha. Komuna nuk i mirëmban teknikisht e as nuk paguan sigurime për ato automjete, por kompania nga e cila i ka marrë komuna me qira”, thotë zyrtarja për informim i kësaj komune, Yllarta Thaçi.
Për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve të vjetra që i ka pasur komuna, sipas saj, janë shpenzuar në vit deri në 100 mijë euro.
“Për këto 13 makina që janë marrë me qira për 11 drejtoritë komunale, komuna paguan gjithsej 53 mijë euro në vit”, tregon ajo shumën që do të paguajë komuna e që sipas saj është përgjysmë më e ulët se shuma e mirëmbajtjes së makinave të vjetra gjatë një viti.
Se si do të përdorën këto makina dhe automjetet e tjera zyrtare të kësaj komune, të martën është mbajtur një debat publik, për të dëgjuar sugjerimet, propozimet dhe rekomandimet e pjesëmarrësve në këtë debat, ndonëse në fund komuna është ajo që vendos sesi do të shfrytëzohen këto automjete. Por, sipas ligjit, duhet të mbahet një debat publik para se kjo rregullore të shkojë për miratim në Kuvendin Komunal. Komuna e Deçanit e ka pasur një rregullore të vjetër nga viti 2005.