Komuna e Dragashit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të lansojnë Paktin Territorial të Punësimit të enjten, më 14 shtator 2017 në Restorant MEKA në Dragash, në ora 11:00.
Ngjarja, e cila është pjesë e projektit InTerDev 2, e financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim, do të lansojë Paktin Territorial për Punësim në komunë, si dhe do të formalizojë kontributin financiar të komunës në këtë Pakt. Aty do të marrin pjesë kryetari i komunës Salim Jenuzi, shefi i administratës/këshilltari i sektorit privat në ambasadën austriake në Prishtinë, Arsim Aziri dhe asistent përfaqësuesja e përhershme/kordinatorja e Programit,Valbona Bogujevci.
Paktet Territoriale të Punësimit (PTP) që janë implementuar përmes projektit INTERDEV 1 janë treguar të suksesshme në komunat partnere, duke përmirësuar gjenerimin e të të ardhurave dhe krijimin e vendeve të punës në nivel lokal, duke përmirësuar udhëheqjen komunale, reagimin ndaj nevojave të komuniteteve të tyre dhe bashkëpunim me sektorin privat dhe shoqërinë civile.
Në këtë fazë, PTP në Dragash do të ndihmojë mbi 200 banorë të kësaj komune që të zhvillojnë aftësi të reja, të gjejnë punë, ose të rrisin prodhimin bujqësor dhe të gjenerojnë më shumë të ardhura financiare për familjet e tyre.
Projekti INTERDEV 2 promovon në mënyrë aktive fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave në rrezik që të lihen pas me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale.