Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka pritur në takim delegacionin nga Komuna Karesi Balikesir të Turqisë dhe ka shprehur vullnetin se Komuna e Drenasit është e gatshme për bashkëpunim me Komunën Karesi.
Ne këtë takim, ishin të pranishëm përfaqësuesi i Komunës Karesi Balikesir, Onur Omugun dhe Furkan Bytyç si dhe drejtori i Institutit Junus Emre, Dr. Mehmet Ulker.
Në takim, kryetari Lladrovci sikurse edhe përfaqësues nga Komuna Karesi janë dakorduar që bashkëpunimin e filluar të vazhdojnë me hapa të shpejtë dhe të konkretizuar për binjakëzimin e Institucioneve Edukativo-Arsimore dhe Komunave.
Pjesë e këtij delegacioni ishin edhe mësimdhënës e nxënës të shkollave nga Komuna Karesi Balikesir, ku kryetari Lladrovci ka takuar ne Sallën e Kuvendit.
Delegacioni pastaj ka vizituar edhe Qendrën për Promovimin e Drejtave të Grave në Drenas.