Komuna e Ferizajt ka shprehur pakënaqësitë e saj për mënyrën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, teksa kritikuan edhe Ministrinë e Arsimit për mosbashkëpunim me nivelin lokal, raporton Ekonomia Online.
Drejtori Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjrani, gjatë raportimit në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore, ka thënë se janë riinformuar përmes mediave për formën e ndryshimit të subvencionimit dhe se nuk kanë pas informim zyrtar për mënyrën e shpërndarjes së teksteve, derisa ka shtuar se deri në muajt shtator e tetor nuk është përmbyll furnizimi me tekste në këtë komunë.
“Ka qenë diçka e re mënyra e shpërndarjes së teksteve shkollore. Ne nuk jemi kontestu për formën dhe mënyrën e shpërndarjes së teksteve. Fëmijët e moshës 6-vjeçare janë furnizuar pak më vonë për shkak të problemeve në kyçje në E-Kosova. Deri në muajin tetor prindërit kanë blerë tekste dhe pastaj nuk janë blerë prej të gjithë prindërve. Kanë qenë shtatë komuna që nuk kanë pas librari, të gjithë këto çështje i kemi adresu te ministrja me 29.08. Kemi pas disa grupe sidomos të komunitetet ku kanë ndihmuar prindërit për aplikim në E-Kosova”, ka thënë Llabjani.
Ndërsa, shtoi se nxënësit deri në muajin tetor nuk janë furnizuar me libra dhe ka pas raste kur prindërit kanë blerë libra, mirëpo pavarësisht deklaratës, Llabjani nuk kishte shifër statistikash.
Deputeti i VV-së, Armend Muja, iu drejtua drejtorit se nuk ka shifra, po jap vetëm konkluzione.
“Nëse një muaj nuk keni nxjerrë shifra, sa kohë iu duhet”, ka thënë Muja.
Drejtori tha se iu duhet përafërsisht një javë.
Deputetja nga VV-ja, Arjeta Fejza, kërkoi nga komisioni të caktojnë një afat kohor që drejtoritë e shkollave të dërgojnë raport, për shkak se po e neglizhojnë këtë çështje.
“Unë besoj që ne kemi nevojë si komision ta caktojmë një afat konkret dhe nëse komunat se sjellin do përballen në Gjykatë”, ka thënë Fejza.
Arsyet e jo-aplikimit, drejtori tha se ka qenë gjendja ekonomike e mirë e prindërve të nxënësve, ose i kanë pas tekstet shkollore, nga viti paraprak, kurse sa i përket ruajtjes apo mos ruajtjes së teksteve, drejtori ka thënë se Ministria nuk ka kërkuar formularë për ruajtjen e tyre.
Deputeti nga LDK-ja, Agim Veliu, bëri pyetje drejtorit se deri kur ka zgjat furnizimi me tekste dhe kur ka përfunduar.
“A i kanë ruajtur tekstet dhe a i keni shpërndarë tekstet për vitin 2023. A ka ndonjë ndryshim të rregullativës ligjore, a kanë qenë komunikimet e drejtorisë me MAShTI-n”, pyeti Veliu.
“Përmes mediave e kemi kuptuar se ka ndryshu forma e subvencionimit, me 29 e kemi mbajt takimim kemi vazhdu me formën e aplikimit. E përmenda se kemi raporte nga shkolla, nga muaji tetor nxënësit kanë blerë akoma tekste ka vazhduar edhe në tjera. Komunikimi me MAShT-in, është i mirë edhe pse i rrallë”, u përgjigj Llabjani.