Komuna e Ferizajt gjatë këtij viti ka planifikuar t’i përkrahë fermerët e vet me gjithsej 300 mijë euro subvencione në këmbim të pajisjeve të ndryshme për punë.
Ajo tashmë u ka bërë thirrje fermerëve që të hartojnë projekte dhe ide, derisa në kuadër të këtyre subvencioneve do të përfitojnë 80 serra familjare me nga 50 metra katrorë dhe 10 serra komerciale me nga 3 ari, shkruan sot Koha Ditore.
Po ashtu, janë planifikuar të shpërndahen disa krerë lopë qumështore, mekanizëm për bujqësi, sistem për ujitje të serrave dhe parcelave bujqësore, sistem kundër breshrit, si dhe do të paguhen kamatat e kredive të fermerëve.
Burim Bajrami, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt, ka thënë se gjatë këtyre ditëve kanë nisur me projektin e parë duke i shpallur subvencionet për fermerët, të cilët janë të interesuar të mbjellin pemë dhe perime, ndërkohë brenda muajit të ardhshëm do të shpërndajnë edhe fidanë për fermerët që merren me serra dhe gjithashtu do të shpërndajnë plehra azotike.