Qeverisja lokale e Gjilanit prej 3 vjetësh nuk ka angazhuar operator për mirëmbajtje të teknologjisë informative.
Mosmirëmbajtja e teknologjisë po hap telashe edhe për projektet që janë zbatuar e që ka për qëllim lehtësimin e punës në Administratën publike për ofrim shërbimesh qytetarëve siç janë: projektet: “E-Kioska”, “Apliko online për certifikatë”, “Gjilani smart city” dhe projekte të tjera që janë në zbatim e sipër, shkruan sot “Koha Ditore”. Ka 3 vjet që teknologjia informative tentohet të mirëmbahet nga një pjesë e stafit të Komunës që ka njohuri në këtë aspekt, por s’është funksionale.
Nazim Gagica, drejtor i Administratës së Përgjithshme në Gjilan, deklaron se nuk ka informacione se cilat janë arsyet, të cilat kanë ndikuar që deri tashti të mos ketë një kompani të kontraktuar për mirëmbajtje. Thotë se pa mirëmbajtje teknologjia informative nuk është funksionale dhe se pengesat në këtë plan janë edhe evidente ngase një pjesë e teknologjisë edhe amortizohet.