Banorët e fshatit Zllakuqan dhe këshilli organizativ për ngritjen e lapidarëve në Komunën e Lipjanit që nga fillimi i këtij viti po kërkojnë nga komuna ndarjen e një parcele për ngritjen e lapidarit të dëshmorit dhe heroit të kombit Bashkim Krasniqi, i rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas banorëve, Komuna e Lipjanit ia ka refuzuar kërkesën pa ndonjë arsye konkrete, derisa gjatë vjetëve të fundit ka ngritur disa lapidarë të tillë në qytet dhe në fshatra, shkruan sot “Koha Ditore”.
Familjarët e dëshmorit Bashkim Krasniqi dhe anëtarët e këshillit organizativ për ngritjen e lapidarëve në Lipjan, kanë thënë se ngritja e lapidarëve në këtë komunë gjatë vjetëve të fundit po bëhet mbi baza të interesave personale e politike.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, nuk ka dashur të fliste rreth kësaj çështje, madje ai nuk i është përgjigjur as pyetjeve zyrtare të gazetës.
Ndërkohë, KD-ja ka siguruar një shkresë nëpërmjet të cilës komuna i është përgjigjur këshillit organizativ për ngritjen e lapidarëve në lidhje me këtë çështje.