Pas shpalljes së gjendjes emergjente në shëndetësi, vendimeve të Qeverisë së Kosovës dhe infektimit të katër personave me virusin korona (COVID-19), Komuna e Malishevës ka marrë vendim të reduktojë punën e administratës komunale, përkatësisht zvogëlimin e stafit në maksimum.
Po ashtu konfirmohet se edhe Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha aktiviteteve, transmeton Klan Kosova.
Të gjitha këto masa janë në kuadër të zbatimit të vendimeve qeveritare me qëllim të parandalimit të COVID-19.
“Me qëllim të zbatimit të të gjitha vendimeve dhe rekomandimeve, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i ka mbajtur dy takime. Fillimisht është mbajtur një takim i kryetarit me kryesuesin e KK të Malishevës, Rrahim Morina dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në kuvend, të cilët janë njoftuar me situatën e krijuar dhe më pas është mbajtur edhe takimi i shtabit për menaxhimin e situatës me COVID-19”, thuhet në kumtesë.
“Në takimin e fundit, ju është bërë apel qytetarëve, të cilët kanë nevojë për shërbime shëndetësore, që përjashtuar rastet e rënda, të mos vizitojnë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërsa rastet për dyshime që potencialisht mund të jenë të prekur me COVID-19, apo familjarët e të prekurve, të thërrasin urgjencën në Malishevë, dhe ekipet shëndetësore do ti vizitojnë në shtëpi dhe ju ofrojnë ndihmën e nevojshme”.
Ju bëhet thirrje kompanive furnizuese, që t’i kontaktojnë personat përgjegjës për furnizim me medikamente dhe ushqime, për të lejuar futjen e tyre në Malishevë, pasi Malisheva është në karantinë të plotë.
Për furnizim me mallra ushqimore, kompanitë luten ta kontaktojnë Valon Mazrekun, drejtor për financa, në numrin e telefonit 044 233 886, ndërsa për furnizim me barna, të kontaktojnë drejtorin e shëndetësisë, Liridon Hoti, në numrin e telefonit 045 976 170.