Komuna e Obiliqit ka reaguar pas publikimit të një njoftimi të LDK-së se një veture zyrtare gjendet afër selisë se Komisionit Komunal Zgjedhore. Komuna e Obiliqit i ka quajtur këto pretendime si shpifje dhe manipulim.
Reagimi i plotë i komunës së Obiliqit:
Reagim ndaj shkrimit tendencioz të publikuar sot në rrjetin social Facebook të subjektit politik; Lidhja Demokratike Obiliq. Në këtë postim, ky subjekt politik duke publikuar një foto të një veture zyrtare e cila gjendet afër selisë se Komisionit Komunal Zgjedhore, e cila veturë ditë më parë i është dhënë në shfrytëzim KKZ-së, për të ndihmuar në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, thotë që Komuna e Obiliqit po keqpërdorë pushtetin për të bartur qytetarët për të votuar.
Dezinformata të tilla dëmtojnë rëndë opinionin e gjerë, dhe si të tilla janë të papranueshme për Komunën e Obiliqit.
Si Komunë do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore që akterët e tillë manipulativ të përgjigjen para drejtësisë.
Po ashtu, presim edhe reagimin e Komisionit Komunal Zgjedhor në Obiliq për të demantuar sa më parë manipuluesit e tillë, të cilët shfrytëzojnë të gjitha rrugët për të dëmtuar procesin e rregullt zgjedhor që është duke u zhvilluar në Komunën e Obiliqit.
Edhe një herë për opinionin e gjerë në Obiliq, ju konfirmojmë që të gjitha kërkesat që KKZ-ja i ka drejtuar për ndihmë komunës, ne i kemi përmbushur, vetëm e vetëm që të zhvillohet një proces i rregullt zgjedhor.