Komuna e Podujevës e gatshme për fushatën e korrje-shirjes

Podujevë | 02 Kor 2018 | 09:42 | Nga

Drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR) në Komunën e Podujevës, Vezir Januzi, dhe drejtori i Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik (PZHE), Mirsad Kamerolli, kanë mbajtur takim me pronarët e autokombajnave.

Në prag të fushatës së korrje-shirjeve në Komunën e Podujevës, drejtori i DBPZHR, Vezir Januzi dhe drejtori i PZHE, Mirsad Kamerolli, mbajtën një takim me pronarët e autokombajnave, ku u bisedua lidhur me përgatitjet që janë bërë për fushatën e korrje-shirjes.

Në këtë takim, drejtori Januzi informoi kombajnerët se është formuar Komisioni komunal përcjelljen e fushatës së korrje-shirjes.

“Në territorin e komunës sonë sivjet kemi gjithsej 5,535 hektarë të mbjella me grurë, elb, thekër dhe tërshërë. Prej tyre 5,170 hektarë janë me grurë”, tha drejtori Januzi.

Më tej, drejtori Januzi tha se fushata e korrje – shirjes pritet të fillojë rreth datës 10 korrik, kurse numri i autokombajnave në teren do të jetë 90 sosh.

Në bazë të këtij numri dhe dinamikës së korrje-shirjes, llogaritet se fushata e korrjes do të zgjas rreth 20 ditë.

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë vendim që sivjet të mos bëjë subvencionimin e derivateve për pronarët e autokombajnave. Ndërsa, çmimi i korrje-shirjes do të jetë unik për tërë Kosovën, 100 euro për një hektar.

Të ngjashme