Komuna e Prishtinës ka shprehur mbështetjen për Ukrainën në prag të njëvjetorit të luftës pushtuese të Rusisë edhe nëpërmjet simboleve nëpër sheshet e kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.
Të enjten, për gjatë shesheve janë parë flamujt e Ukrainës.
Qytetarët kanë mendime të ndryshme për këtë solidaritet, pasi që Ukraina nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.
Një qytetar që nuk ka dashur të prezantohet, ka thënë se është e pakuptimtë solidariteti me Ukrainën, pasi nuk e njeh Kosovën.
“Isha duke bisedu me vëllain dhe megjithëse Ukraina si shtet nuk na njeh edhe nëse e shohim të kaluarën nuk po më duket e qartë kjo po sidoqoftë më mirë e dinë ata që i kanë vendosë”, tha ai.
Ndërsa Arton Krasniqi, tha se solidariteti me popullin ukranias është ide e mirë, pasi të njëjtën e kanë përjetuar edhe kosovarët.
“Është një ide shumë e mirë si qeveri e Kosovës. Ne e kemi përjetuar në vitin 98-99 dhe besoj që sa më shpejt me u kry ajo luftë sepse ka ndikim edhe te njerëzit edhe te ekonomistët edhe çdo gjë është në dëm të Ukrainës”, tha ai.
“Është mirë gjithmonë të solidarizohemi me njerëz të cilët luftojnë për liri dhe pavarësi të shtetit të vetë mirëpo kjo po më ngjanë pak a shumë me sikur tregimet e Ernest Koliqit ‘Tregtar flamujsh’”, u shpreh një qytetar tjetër.