Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me përfaqësuesit e BERZh-it, për “Pristina Green City Action Plan”.
Ahmeti tha se projekti për të përfituar më shumë hapësira të gjelbra, do ta bëjë Prishtinën vend më të banueshëm.
“Diskutuam marrëdhëniet e shkëlqyeshme me këtë institucion. Pas përfundimit apo realizimit të suksesshëm të projektit të autobusëve tashmë kemi vazhduar diskutimin dhe do të fillojmë një projekt tjetër. Ne kemi dorëzuar aplikacionin që të jemi pjesë e projektit të gjelbër”, ka thënë kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, raporton Ekonomia Online.
Ai thotë se ku bashkëpunim është i një rëndësie të veçantë ngase nëpërmjet kësaj synohet një kryeqytet më i banueshëm.
“Kjo për neve është tejet me rëndësi sepse do ta bëjmë Prishtinën kryeqytet më të gjelbër dhe me të banueshëm. Ne kemi kërkuar financimin e unazës se qytetit dhe sot është konfirmuar që qeveria ka dorëzuar ne BERZh kërkesën për financim”, tha Ahmeti.
Zv. presidenti i BERZh-it, Jurgen Rigternik, ka falënderuar Ahmetin për bashkëpunim.
Rigternik gjatë ditës ka pasur takim edhe me ministrin e Financave, Bedri Hamza, me të cilin u dakorduan për bashkëpunim.
Pas këtij takimi Ahmeti bashkë me zv. presidentin e BERZH-it kanë vizituar ndërmarrjen e Trafikut Urban.