Mbetet akoma për t’u bërë për avancimin e të drejtave të komunitetit lezbike, gej, biseksual, transgjinor dhe interseks (LGBTI) në Kosovë. Të drejtat LGBTI, si temë diskutimi, kanë pasur një prezencë të shtuar në debatet publike, megjithëse vazhdojnë të diskriminohen nga shoqëria. Komuna e Prishtinës e ka bërë një hap për avancimin e të drejtave të këtij komuniteti.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar dje buxhetin e komunës për vitin 2021 dhe kornizës afatmesme buxhetore për periudhën 2021-2023.
Kjo pikë u miratua me 26 vota për 5 abstenime nga të gjitha grupet e partive politike, përveç Lëvizjes Vetëvendosje që abstenuan.
Buxheti kap vlerën prej 86 milionë eurove.
Derisa, shumica e komunitetit LGBTI detyrohet të jetojë një jetë të fshehtë ose të dyfishtë me frikë të vazhdueshme nga diskriminimi, Komuna e Prishtinës po synon të bëjë më publik aktivitetin e këtij komuniteti.
Drejtoria e Mirëqenies e Komunës së Prishtinës në programin e saj për vitin 2021 ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje për personat, që i përkasin komunitetit LGBTI.
Ky projekt figuron në buxhetin i cili u miratuar dje në Kuvend. Për ndërtimin e strehimores janë paraparë 300 mijë euro. Ndërkohë, lokaliteti për ndërtimin e strehimores akoma nuk është caktuar përfundimisht./lajmi.net/