Ndarja e rreth 70 mijë eurove buxhet për vitin e ardhshëm nga Komuna e Prishtinës për qira të veturave zyrtare ka ngjallur reagime nga partitë opozitare në Prishtinë. Ato vlerësojnë se udhëheqja komunale është në kundërshtim me qëndrimet e veta.
Ekzekutivi komunal i Prishtinës në projekt buxhetin për vitin e ardhshëm ka ndarë rreth 70 mijë euro për qira të veturave zyrtare, raporton “038” i KTV-së.
Kjo ka ngjallur reagime nga opozita në kryeqytet.
Sokol Krasniqi nga LDK-ja ka thënë se ky veprim i komunës është edhe një dështim në realizimin e premtimeve që janë dhënë nga Shpend Ahmeti.
Kritika të ashpra ka drejtuar ndaj udhëheqjes komunale edhe Lirak Çelaj nga Partia Demokratike e Kosovës.
Por, zyrtarë të Komunës mohojnë se këto mjete janë luks. Zëdhënësja ka sqaruar se veturat janë blerë përmes formës së lizingut.
Por, kjo formë e blerjes së veturave, për PDK-në nuk është e duhur, pasi konsiderojnë se është shpenzim shtesë për komunën.
Veturat e reja zyrtare, gjithsej 14, do të përdorën kryesisht për shërbime administrative nga drejtoritë e ndryshme në terren.
Komuna ka theksuar se puna në terren është shtuar në krahasim me vitet e kaluara, andaj edhe është rritur nevoja për vetura të tjera.