Komuna e Prishtinës, ka filluar shpërndarjen e shujtave të ngrohta për të gjitha familjet në nevojë, raporton Ekonomia Online. Me ushqim do të furnizohen 500 persona në një orar, në ora 12:00.
Premtim Fazliu, koordinator nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale e Komunës së Prishtinës ka thënë se ushqimi do të shpërndahet në dy pika.
“Prej sot e rifillojmë shpërndarjen e shujtave të ngrohta për gjithë ata që kanë nevojë. Ushqimin do e shpërndajmë në dy pika. Në ora 12:00 deri në mbarim të sasisë. Gjellë, sallatë, pemë dhe bukë do ketë dyfish më shumë sesa zakonisht për gjithë ata që kanë nevojë. Ushqimin vetëm mund ta marrin me veti. Pas gjendjes e cila është krijuar për shkak të pandemisë jemi duke i shërbyer 500 persona, përfshirë edhe Tophanen ku fluksi i njerëzve është më i madh”, tha ai.
Fazliu ka treguar se ushqimi shërbehet në enë plastike, por u ka bërë thirrje qytetarëve në nevojë që të marrin enët me vete nëse munden.
“Ne e kemi blerë një numër të madh të pajisjeve plastike përmes së cilave mund të bartet ushqimi, mirëpo i inkurajojmë të gjithë që të marrin pajisje me vete. Jemi kujdesur që të gjithë ambientin ku do shpërndahet ushqimi ta kemi të dezinfektuar dhe brenda një niveli të lartë higjienik. Njëkohësisht, bëjmë thirrje që të gjithë përfituesit e shujtës se gjatë procesit të marrjes së ushqimit të mbajnë distancë në mes tyre gjatë pritjes në rend”, tha ai.
Ai ka treguar se janë përkujdesur të mbajnë higjienën dhe për atë kanë vendosur shenjat që te respektohet distanca sepse, përhapja e pandemisë po bëhet shpejt.
“Shujta ka mjaftueshëm shkaku edhe i mbylljes së çerdheve”, tha ai.