Komuna e Prishtinës synon anëtarësimin në Rrjetin Evropian të Qyteteve të Shëndetshme

Prishtinë | 03 Maj 2018 | 15:37 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Zyra Regjionale për Evropë dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, janë takuar sot me ekipin e komunës së Prishtinës për të diskutuar rreth inicimit të qasjes së qyteteve të shëndetshme, në të cilën do të përfshihen edhe Obiliqi dhe Ferizaj.

Pas takimit, ministri Ismaili tha se bashkë me institucionet dhe ekspertët e OBSH-së do të krijojnë një plan për ta bërë Prishtinën më të shëndetshme dhe më të jetueshme për qytetarët dhe ta anëtarësojnë atë në rrjetin ndërkombëtar të qyteteve të shëndetshme.

Ismaili shtoi se takimi i sotëm ishte i pari në të cilin, sipas tij, u konfirmua vullneti për ta realizuar projektin, raporton Ekonomia Online.

“Është një projekt, një iniciativë që do ta bëjë Prishtinën dhe komunat tjera më të shëndetshme dhe më të jetueshëm për të gjithë qytetarët. Prishtina në zhvillimin e saj ka shumë sfida, duhet të gjejmë balancin që këto sfida të zhvillimit ta kenë parakusht shëndetin dhe një qytet të jetueshëm për qytetarët tanë. Do të arrijmë të krijojmë një plan për Prishtinën që të jetë qytet i shëndetshëm dhe ta anëtarësojmë në rrjetin ndërkombëtar të qyteteve të shëndetshme. Kjo ka qenë vizita e parë për të parë vullnetin, do të dalim me plan konkret të vizitave dhe punës që e shohim. Në takimin sot jemi bindur që të punojmë…do të dalim me një plan me vizita dhe workshope. Jemi të përkushtuar të bëjmë ndryshimin.

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Arben Vitia, tha se në takim u konfirmua përkushtimi politik nga të gjitha grupet e asamblesë për të realizuar këtë projekt. Ai shtoi se në takim u fol edhe për identifikimin e problemeve dhe ngritjen e e qytetarisë aktive.

“Jemi mbledhur me grupet parlamentare brenda asamblesë dhe me iniciativë të Ministrisë së Shëndetësisë bashkë me mysafirë nga OBSh-ja për rrugën që mendojmë ta ndjekim për anëtarësimin e disa qyteteve të Kosovës në rrjetin e qyteteve të shëndetshme. U përmendën përkushtimi politik, ku e pamë që ekziston një ekspertizë, e cila në bashkëpunim me OBSh-në do të bëhet për të identifikuar problemet, se si ta bëjmë qytetin më të shëndetshëm, dhe në fund ishte ngritja e qytetarisë aktive, ku qytetarët do të jenë pjesë e planit të cilët përmes kritikave dhe planeve të tyre të na ndihmojnë sepse ata i vuajnë pasojat”.

Ekspertët e OBSh-së, John Ashton dhe Monika Kosinska, u shprehën të kënaqur me takimin dhe konfirmuan mbështetjen e tyre në realizimin e këtij projekti, i cili është iniciativë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, deklaroi se ky është projekt i madh në të cilin duhet të përfshihen të gjitha institucionet, raporton EO.

“Ky është projekt i madh i cili kërkon përfshirjen e të gjitha institucioneve. Në takim konfirmuam gatishmërinë  që të jemi në projekt. Të gjitha grupet parlamentare u zotuam që të mbështesim. Janë disa faza që janë të rëndësishme më shumë se vetë akti i anëtarësimit”.

Të ngjashme