Komuna e Prizrenit kthen nën menaxhim parkingjet publike

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit ka ndërmarrë veprime për lirimin e parkingjeve, respektivisht kthimin e pronave komunale që janë shfrytëzuar deri më tani nga operatorët e ndryshëm.

Si rrjedhojë është apeluar te qytetarët që të mos paguajnë për parkimin në hapësirat publike, që dihet se janë pronë komunale. Drejtuesit e këtij dikasteri lokal kanë theksuar se në kuadër të aksionit të zhvilluar gjatë këtij muaji janë liruar 80 për qind të këtyre parkingjeve dhe se aksioni do të vijojë edhe në javën e tretë të dhjetorit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tyre, në mesin e operatorëve që kanë shfrytëzuar pronën komunale ka pasur edhe të tillë që nuk i kanë kryer obligimet financiare ndaj Komunës, që janë paraparë me kontratat përkatëse dhe këto lëndë janë dërguar në procedurë të përmbarimit.

Jetësimi i këtij aksioni është përshëndetur edhe nga këshilltarët e caktuar të Kuvendit të Komunës, që prej gjashtë muajsh kishin kërkuar veprime ligjore nga ekzekutivi komunal lidhur me këto parkingje. Ndërsa një raport komunal për llogaritë e arkëtueshme kishte konstatuar se vlera e papaguar e borxheve të operatorëve ndaj Komunës së Prizrenit është mbi 61 mijë euro.

Drejtori i Inspektorateve, Islam Thaqi, ka pohuar se ky dikaster është duke ekzekutuar vendimet e sektorit të pronës në raport me pronat komunale që janë dhënë në shfrytëzim për operimin e parkingjeve. “Është aksion i filluar nga java e parë e muajit dhjetor.

Deri tani 80 për qind të parkingjeve apo hapësirave publike që u janë dhënë në shfrytëzim operatorëve të ndryshëm e që nuk i kanë liruar ato pas skadimit të kontratave të tyre janë liruar ta quaj kushtimisht dhunshëm apo kemi mbikëqyrë procesin e lirimit të këtyre hapësirave që janë dhënë për shfrytëzim si parkingje”, ka thënë Thaqi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme