Që nga fillimi i këtij muaji mërgimtarët e Komunës së Vushtrrisë do të mund të marrin shërbime administrative edhe të shtunave dhe me sportele të veçanta të dedikuara për ta. Për këtë Komuna e Vushtrrisë ka vendosur të zgjasë orarin e nëpunësve të saj dhe ka hapur katër sportele, ku mërgimtarët do të mund të pajisen me dokumentacionet e nevojshme, raporton Ekonomia Online.
E gjithë kjo po bëhet për t’i ikur vonesave që mund të hasin gjatë kërkesave për t’u pajisur me dokumentacione të nevojshme.
Këtë të shtunë, administratën komunale i vizituan kryetari i Komunës, Ferit Idriz dhe drejtoresha e Administratës, Hava Rruka-Mlinaku.
Të dytë shprehen gatishmërinë që këta muaj, të jenë sa më të lehtë për mërgimtarët.
Kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, është shprehur i bindur se me zgjatjen e orarit qytetarët do të kryejnë më lehtë punë në komunë.
Me këtë rast, Idrizi tha se po jetësohet një premtim i tij në fushatë, teksa u zotua se do të ketë një përkushtim të vazhdueshëm për diasporën.
“Sot është ditë e shtune, dolëm bashkë me drejtoreshën e Administratës me i vizitu stafin që janë këtu në shërbim të diasporës, i pamë të gjitha sportelet që kanë gatishmëri për të shërbyer këta muaj, që t’i presim mërgimtarët sa më mirë me shërbime sa më cilësore dhe sa më efikase. Ky ka qenë një premtim i imi dhe do të jetë një përkushtim i vazhdueshëm në shërbim të diasporës, në mënyrë që diasporën ta ofrojmë sa më afër, jo vetëm me këto shërbime por edhe me projekte tjera”, tha ai.
Idrizi ka thënë se mërgimtarëve do t’iu mundësohet që t’i kryejnë shërbimet edhe të kadastrit, për shkak se këto shërbime duhet të kryhen në një objekt tjetër, i cili është i ndarë me atë të Komunës.
“Unë besoj se këto do të jenë lehtësira shumë të mira për diasporën, për të gjitha shërbimet që kanë nevojë t’i kryejnë në administratën e Komunës, duke përfshirë edhe kadastrin dhe tash do ta shikojmë mundësinë edhe të pagesave që fizikisht është e ndarë nga objekti i Komunës, gjithsesi këto shërbime do ta lehtësojnë nevojat e diasporës sepse pos që do ta kemi të shtunën, ne do ta kemi shtuar edhe orarin e pauzës, pra që e kanë pas nga ora 12:00 deri 13:00, pra edhe kjo kohë do t’iu dedikohet mërgimtarëve”, tha ai.
E drejtoresha e Administratës në Komunën e Vushtrrisë, Hava Rruka-Mlinaku, tha se këto shërbime do të jenë të hapura deri më 30 shtator, atëherë kur llogaritet se ka më pak mërgimtarë në Kosovë.
“Ky shërbim do të jetë i hapur nga data 1 qershor deri më 30 shtator, pra për muajt veror sa i kemi mërgimtarët këtu. Të gjitha përgatitje janë bërë, pra që nga sot zyrtarët e Administratës janë në detyrë për t’i ofruar shërbime”, tha ajo.