Komuna e Vushtrrisë po mbështet bizneset që të zhvillohen për të përfituar më shumë komuniteti në punësim, raporton Ekonomia Online.
Një shembull i tillë është edhe kompania “Timber Home”.
“Komuna e Vushtrrisë e udhëhequr nga kryetari Ferit Idrizi jep shembull si duhet të përkrahen bizneset që punojnë me përkushtim të lartë, si “Timber Home”, ka shkruar Bujar Shatrolli, shef i kabinetit të kryetarit Idrizi, në një postim në Facebook, ku ka publikuar dhe një video që dëshmon sesi po përkrahen bizneset, duke marr shembull kompaninë “Timber Home”.
Faton Kadriu nga kompania “Timber” tha se tani posedon një makineri që u ka lehtësuar punën, në krahasim me më parë kur ai tregon sesi detyroheshin me stafin që të punojnë deri në 24 orë, që të arrihet realizimi i produkteve.
“Tash kompania ka arritur që t’i punësoj rreth 60 punëtorë. Komuna na ka ndarë një parcelë për shfrytëzim, as nuk e kemi besuar. Ne mendojmë brenda dy viteve ta dyfishojmë numrin e të punësuarve, të dyfishojmë makinerinë. Kryetari i komunës së Vushtrrisë duhet të jetë shembull dhe për komunat tjera sesi vepron me bizneset, pra pavarësisht bindjeve politike, trajtohen të gjithë njëjtë, ka qenë çdo herë me ne, ka qenë krah neve edhe kur kemi pasur probleme të fushave tjera ”, thekson Kadriu.
Ai thotë se ndarja e parcelës do të jetë një hap i madh drejt zgjerimit të biznesit. Ai beson se kjo do t’i ndihmojë që të rrisin prodhimin dhe eksportin.
Ai rrëfen se kompania ka nisur punën në kohën e pandemisë që ishte dhe një arsye më shumë për të bërë rrethanat dhe më të vështira duke u detyruar, sipas tij që të punojnë dhe deri në 24 orë për të realizuar produktet duke marrë parasysh se në atë kohë nuk e kishin këtë makineri.
Ai tha se deri më tani nuk kanë pasur përkrahje nga askush, mirëpo tani komuna që u ndau parcelën për shfrytëzim shpreson se do të ketë më shumë zhvillim kompania.
Kadriu tha se janë shumë kërkues në treg jo vetëm në atë vendor, por dhe ndërkombëtarë .