Qeverisja komunale e Gjilanit ka vazhduar procedurat për rindërtimin e stacionit të autobusëve, ndonëse shumë aktivitete publike janë pezulluar për shkak të masave të ndërmarra kundër pandemisë së koronavirusit.
Drejtuesit e Komunës dhe të ndërmarrjes i kanë arsyetuar angazhimet në këtë projekt me nevojën që mjetet financiare të cilat janë ndarë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe DEMOS-i të duhet të shpenzohen brenda këtij viti. Në të kundërtën, sipas tyre, tërhiqet mbështetja financiare për projektin në vlerën prej 600 mijë eurosh.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, të enjten ka vizituar ndërmarrjen publike “Stacioni i Autobusëve” ku është takuar me menaxhmentin e saj.
Ai ka thënë se është e domosdoshme që të investohet në rindërtimin e objektit të saj.
“Nga raportet tona periodike afër një milion njerëz qarkullojnë brenda vitit përmes stacionit të autobusëve dhe formave të transportit që organizon stacioni. Është jashtëzakonisht një shifër e madhe. Po punojmë përmes menaxhmentit që të përgatitemi për ndërtimin e stacionit të ri një projekt që plotëson të gjitha nevoja e transportin urban, ndërurban, dhe komunikimin e qytetarëve me këto mjete të transportit”, ka thënë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Ndërmarrja, sipas tij, ka krijuar qëndrueshmëri financiare që është edhe një dëshmi për punën e mirë të menaxhmentit përgjatë këtyre viteve.
“Kjo ndërmarrje është e mirë, nuk e ka krijuar asnjë borxh qe 6 vjet, menaxhon me resurset financiare dhe krijon të hyrat e veta”, ka shtuar ai. Kryeshefi i ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve”, Avni Hajrullahu, ka bërë të ditur për pezullimin e përkohshëm të punës, për shkak të vendimit të Qeverisë për masat mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19. Ai ka thënë se gjatë kësaj kohe kanë punuar në finalizimin e projektit për rindërtimin e objektit të stacionit dhe hapësirave përcjellëse.