Instituti GAP dhe Helvetas/projekti DEMOS, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Suedia, kanë mbajtur të enjten tryezë diskutimi ku është prezantuar analiza “Planifikimet buxhetore të komunave për vitin 2025”, ku sipas kësaj analize buxheti në secilin rast për vitin e ardhshëm do të jetë me i lartë, rreth 2 për qind deri në 11 për qind, raporton Ekonomia Online.
Në këtë proces janë analizuar 15 komuna të Kosovës, duke u fokusuar në trendet buxhetore të komunave, sipas kategorisë së të hyrave dhe shpenzimeve, si dhe duke parë potencialin që ofron buxheti për përmirësimin ose krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe social të secilës komunë përkatëse.
Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP, ka thënë se të gjeturat tregojnë se planifikimi i hershëm buxhetor nuk bëhet duke i marrë për bazë rreziqet dhe sfidat qe i kanë komunat.
“Nga të gjeturat e analizës vihet në pah se asnjë komunë në planifikimet buxhetore nuk u referohet planeve ose strategjive lokale ose nacionale qe janë hartuar me qëllim të orientimit strategjik, jo vetëm buxhetor, por edhe social e shoqëror. Të gjeturat e analizës tregojnë po ashtu se planifikimi i hershëm buxhetor nuk bëhet duke i marrë për bazë rreziqet dhe sfidat qe i kanë komunat. Asnjë nga dokumentet buxhetore të shqyrtuara nuk ka rezultuar të ofroj informata se sa kanë komunat obligime kontingjente, kontestimore, gjyqësore ose përmbarimore”.
“Nga 15 komunat e Kosovës të përfshira në këtë analizë, buxheti në secilin rast për vitin e ardhshëm do të jetë me i lartë, diku 2 për qind e diku deri ne 11 për qind. Komuna e Ferizajt ka rritjen më të lartë në buxhet me rreth 11.7%, pasuar nga Graçanica me rreth 10.8% dhe Klina me rreth 10.4%. Ndërsa, shkallën më të ulët të rritjes së buxhetit e ka Komuna e Obiliqit me një rritje vjetore prej 1.88%. Pjesa më e madhe e komunave që janë pjesë e këtij raporti shpenzojnë gjysmën e buxhetit të tyre rreth 50% në paga dhe mëditje, ku shpenzimet më të mëdha për këtë kategori vërehen te Komuna e Junikut dhe ajo e Kamenicës, përkatësisht me 66% dhe 59%. Në anën tjetër, investimet kapitale paraqesin kategorinë e dytë më të rëndësishme për shumicën e komunave”, ka thënë Salihu.
Salihu ka thënë se nga 15 komunat e analizuara në këtë raport kanë planifikuar të realizojnë 670 projekte kapitale.
“Në anën tjetër, investimet kapitale paraqesin kategorinë e dytë më të rëndësishme për shumicën e komunave. Të gjitha 15 komunat e analizuara në këtë raport kanë planifikuar të realizojnë 670 projekte kapitale, për të cilat do të ndahet buxhet prej 88 milionë euro. Nga to, vetëm 17 milionë (afro 20%) do të shkojnë në projekte të reja, ndërsa 71 milionë euro (apo 80%) do të përdoren për projekte që janë vazhdimësi nga viti 2024. Apo shikuar numerikisht janë gjetur se 500 projekte do të barten nga viti 2024, ndërsa 170 projekte janë planifikuar nga këto komuna si projekte të reja”.
Drilon Shala, përfaqësues i projektit DEMOS, ka thënë se ka mbështetur komunat në themelimin e grupeve për organizim të dëgjimeve buxhetore.
“Projekti DEMOS ka mbështetur Komunat për një kohë të gjatë në përmirësimin e kapaciteteve të tyre për planifikimin buxhetor, përmirësimin e qasjes në informacione publike dhe angazhimin e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Këto përpjekje kanë synuar veçanërisht përfshirjen dhe integrimin e kërkesave të qytetarëve, e posaçërisht grupeve të margjinalizuara, në planifikimin buxhetor komunal. Në vitin 2023, DEMOS-i mbështeti disa komuna në themelimin e grupeve punuese për organizimin e dëgjimeve buxhetore, duke ofruar trajnime për anëtarët e grupeve mbi planifikimin, organizimin, lehtësimin dhe dokumentimin e këtyre dëgjimeve”, u shpreh Shala.
“Në vitin 2024, DEMOS ka vazhduar mbështetjen në këtë drejtim, me fokus të veçantë në planifikimin e hershëm të buxhetit komunal në 15 komuna. Kjo mbështetje ka përfshirë, shqyrtimin e përfitimeve të organizimit të dëgjimeve buxhetore të hershme, duke tejkaluar afatet kohore tradicionale, dhe përpilimin e një manuali që përcakton këto afate, i shoqëruar me një analizë të implikimeve dhe sfidave të këtij planifikimi të hershëm. Përmirësimin e informacionit rreth buxhetit, duke e bërë atë më të qartë, transparent dhe të kuptueshëm për qytetarët. Zhvillimin e një udhëzuesi praktik për planifikimin, organizimin, lehtësimin dhe dokumentimin jo vetëm të dëgjimeve buxhetore por edhe të procesit të planifikimit të hershëm buxhetor në tërësi”.
“Këto aktivitete synojnë të arrijnë rritjen e kapaciteteve të komunave dhe përfshirjen më të madhe të qytetarëve në proceset vendimmarrëse, duke e bërë buxhetimin më transparent dhe të ndjeshëm ndaj nevojave të komunitetit. Rezultatet e deritanishme kanë treguar se ky proces është sfidues, veçanërisht për shkak se komunat kanë funksionuar sipas praktikave tradicionale për një kohë të gjatë, dhe ndryshimi i këtyre praktikave kërkon kohë. Megjithatë, është arritur progres në disa fusha kyçe, përfshirë përmirësimin e qasjes në informacione publike, rritjen e pjesëmarrjes qytetare në planifikimin buxhetor dhe krijimin e praktikave më të avancuara për planifikim, organizim, lehtësim e dokumentim të dëgjimeve buxhetore”.
Durim Halilaj, Kryesues i Kolegjiumit për Financa, Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka përmendur sfidat që i kanë komunat. Përmend telashet me kontratën kolektive dhe ankesat e kompanive në OShP.
“Sfida e para është qarkorja e parë buxhetore dhe qarkorja e dytë buxhetore. Sfidat e planifikimit të hershem dhe planifikimit i kisha veçuar këtë sfidat që komunat kanë, neve si komuna kemi edhe telashen me kontrata kolektive. Pjesë tjetër është edhe ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Tek pjesëmarrja e dëgjimeve buxhetore jam i lumtur që komunat kanë vazhduar një trend tjetër të pjesëmarrjes është buxhetimi me pjesëmarrje dhe komunat në këtë pikë kanë avancuar, ku vetë banorët i përcaktojnë projekte me anë të votës apo pjesëmarrjes”, ka thënë ai.